Dançilla: Ftesa për në NATO, shumë e rëndësishme, Zaev: Presim vendin ta shohim në NATO dhe BE
Rumania përkrah Maqedoninë në aspiratat eurointegruese, deklaroi kryeministrja e Rumanisë, Viorika Dançilla.....

Rumania përkrah Maqedoninë në aspiratat eurointegruese, deklaroi kryeministrja e Rumanisë, Viorika Dançilla, pas takimit të saj me kryeministrin, Zoran Zaev, në Shkup.
Ftesa për në NATO është shumë e rëndësishme, tha kryeministrja rumune, duke shtuar edhe peshën e referendumit të suksesshëm si kontribuuese për Maqedoninë. Rumania do të angazhohet që të ketë unanimitet në Këshillin e Ministrave, me qëllim që vendi juaj t’i fillojë bisedimet në fund të vitit të ardhshëm, shtoi kryeministrja rumune.
“Dua t’ju tregoj se ne do t’ju përkrahim dhe shpresojmë se gjithnjë e më shumë do të bashkëpunojmë pas këtij diskutimi që patëm. Ju dëshiroj sukses të madh me renferendumin që do ta kenë në shtator të këtij viti dhe gjithashtu shpresoj se referendumin do ta kuptojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”,- deklaroi kryeministrja e Rumanisë, Viorika Dançilla.
Rumania është mike e rëndësishme e Maqedonisë dhe presim të na ndihmojë në rrugën e mëtutjeshme të integrimit, tha kryeministri Zaev. Para homologes rumune, Zaev u shpreh se pret nga BE që Maqedonia të vlerësohet individualisht si shtet, sepse, sipas tij, është dëshmuar se vendi mund të zgjidh krizat dhe të punojë pozitivisht.
“Ne presim vlerësim fer në bazë të meritave individuale dhe presim vendin tonë me meritë ta shohim në NATO dhe BE. E nderuara kryeministre, është me rëndësi takimi ynë i sotëm, veçanërisht kur Romania do ta marrë presidencën me BE-në dhe do të udhëheq me të nga janari i vitit 2019, në muajt kyç për Maqedoninë, në ato muaj kur duhet t’i përmbyllim reformat e brendshme dhe ta përmbyllim marrëveshjen me fqinjin tonë jugor, Republikën e Greqisë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në kuadër të vizitës së saj, kryeministrja e Rumanisë është takuar edhe me zyrtarët e parlamentit, ndërkaq është zhvilluar takim bilateral edhe mes delegacioneve të të dy vendeve. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
