VMRO-DPMNE: Skandali me Fondin e inovacionit si serial indian, LSDM: VMRO sërish kërkon abolim të kriminelëve partiakë
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vazhduar akuzat ndaj LSDM-së për dhënien e fondeve të paligjshme nga Fondi i inovacionit....

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vazhduar akuzat ndaj LSDM-së për dhënien e fondeve të paligjshme nga Fondi i inovacionit tek individë të afërt me pushtetin. Kësaj radhe VMRO me prononcim se Vesna Kuzmanoviq e angazhuar nga Fondi si konsulent për propozim-projekte, ka fituar mjete financiare për kompaninë e saj “Stratum Rid” - Shkup.
Skandali në këtë fond u shndërrua në serial indian që nuk ka të ndalur, thonë nga VMRO, nga e cila i kërkojnë prokurorisë të hetojë këtë dhe rastet e tjera për të cilat ata akuzuan se ka keqpërdorim të pushtetit.
“Opinioni pyet: vallë këtu ka dyshime të bazuara se bëhet fjalë për kontrata në katër sy me persona që kanë konflikt interesash. As Fondi as Kuzmanoviq nuk kanë ndjerë nevojën të përjashtohen gjatë ndarjes së grandeve, që hap dyshimin se ka pasur pozitë të favorshme për ndarjen e grandit për inovacione të pretenduara. Kriminalitetin inovativ lidhur me Fondin e pa i gjithë opinioni dhe ai peshon 10.5 milionë euro. Këtu ka punë sa të duash për Prokurorinë Publike. Këtu ka konflikt interesash, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhjetëra vepra tjera penale të dënueshme sipas dispozitave ligjore në Maqedoni”,- deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Nuk kanë munguar edhe kritikat e LSDM-së në adresë të VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se kjo parti dhe lideri i saj, Mickovski, vazhdimisht përmes skenareve të ndryshme refuzon të përkrah suksesin e vendit dhe të pengojë me çdo kusht të ardhmen europiane.
“VMRO-DPMNE dëshiron Maqedonia të mbetet e izoluar dhe prandaj mundohet ta pengojë inkuadrimin në BE dhe në NATO. VMRO-DPMNE dëshiron të luftojë vetëm për amnistimin e krimit të familjes. Dëshiron sërish të kthehet koha e gjyqësisë “Svarovski”. Vajton për investitorë të dyshimtë si Subrata Roj. E përkrah dhunën, dhe akoma më keq, kërkon amnisti për dhunuesit e 27 prillit. VMRO dhe Mickoski dhe mentorët e tij e duan të kaluarën, që sërish në mënyrë ilegale të përgjojnë dhe t’u marrin frymë në qafë mijëra qytetarëve. Duan ta vjedhin popullin e tyre, përmes provizioneve dhe tenderëve kriminele, duan shtet pa rend dhe për atë janë kundër BE-së dhe NATO-s. Sërish dëshiron të arrestojë gazetarë dhe mbyll media. VMRO-ja destruktive sërish do të nxiste tensione ndëretnike. VMRO-ja kriminele sërish kërkon abolim të shumë kriminelëve të udhëheqësisë së partisë”,- thuhet mes tjerash në komunikatën e LSDM-së, ku po ashtu vlerësohet se mbrojtja e vetme në të cilën gjendet VMRO është mbrojtja e krimit dhe puna joligjore. (Rexhep Qamili, TVM2)
