Ligji për financimin e partive, analistët me vlerësime të ndara
Pas dakordimit në takimin e liderëve, ka kaluar në parlament Ligji për financimin e partive politike....

Pas dakordimit në takimin e liderëve, ka kaluar në parlament Ligji për financimin e partive politike, i cili nënkupton se nga 1,8 milion euro që i janë dhënë deri më tani partive politike, kjo shumë do të rritet në 4,5 milion euro si shumë vjetore. Partitë politike deri më tani kanë marrë nga 0,06 për qind nga buxheti i shtetit, ndërsa me Ligjin e ri kjo përqindje shtohet në 0,15 për qind. 30 për qind e këtyre mjeteve do t’u dedikohen partive të vogla, ndërsa 70 për qind për partitë e mëdha të cilat kanë këshilltarë dhe deputetë.
Analisti, Ismet Ramadani, pohoi se ky ligj u jep mundësi të gjitha partive politike të jenë të barabarta, edhe pastron në masë të caktuar paratë e zeza të cilat qarkullojnë në këto subjekte politike deri më tani.
“Ligji për financimin e partive politike, më në fund u jep shans partive politike që të financohen nga buxheti dhe kjo në start tregon se të njëjtat do të garojnë në kushte të barabarta. Nuk do të thotë se Ligji për financimin e partive politike rregullon të gjitha çështjet të cilat mund të jenë deviante në veprimin e partive politike, por megjithatë ka një siguri të veprimit normal që do të thotë minimum i veprimit. Po nga ana tjetër ekziston një mundësi tash më e mirë që të njëjtat t’i ikin fondeve të zeza”,- tha analisti, Ismet Ramadani.
Por, ky ligj nga ana tjetër, nënkupton se tek partitë politike do të duhet të ulen mjetet të cilat i marrin këto subjekte si donacione, pasi një person juridik apo subjekt juridik mund të japë tek partia politike deri në 60 paga mesatare si donacion, ndërsa më herët e njëjta ka qenë 150 paga mesatare. E njëjta vlen edhe për personat fizikë të cilët në vend të 75 pagave mesatare, do të mund të japë në parti si donacion 30 paga mesatare.
Analisti politik, Aleksandar Kërzhallovski, vlerëson se sjellja e këtij ligji është veprim pozitiv, por procedura ka qenë jo transparente.
“Mendoj që është mirë që u rrit financimi i partive politike, sepse nuk është mirë që njerëzit që në të ardhmen do të jenë ministra, të mos kenë të drejtë në vend pune në periudhën deri sa janë në opozitë, dhe ky ligj duhet të shërbejë për këtë qëllim. Por, mendoj se nuk është mirë që u soll në këtë mënyrë, pa ndonjë konsultim më të gjerë të opinionit, dhe mendoj se kjo procedurë është jotransparente. Por, nga ana tjetër nuk pres që ky ligj t’i pastrojë paratë e zeza të cilat qarkullojnë nëpër partitë politike, dhe mendoj se duhet tërësisht të largohet pjesa ku shkruan se partitë mund të marrin donacion një për qind”,- u shpreh analisti politik, Aleksandar Kërzhallovski.
Ndërsa analisti tjetër, Faton Aliti, është pesimist që ky ligj do t’i vendos në një pozicion të barabartë subjektet politike.
“Duke pasur parasysh se gjithçka buron prej qytetarëve dhe gjithçka duhet të kthehet tek qytetarët, qëllimi duhet të jetë në rritje të transparencës dhe ngritjes së nivelit të demokracisë, që nënkupton edhe dhënie e një mundësie apo shansi edhe partive më të vogla politike. Ndryshimet e fundit i shoh si pozitive, por nuk mendoj se sigurojnë një start pozicion të barabartë”,- theksoi Faton Aliti.
Me Ligjin e deritanishëm partive politike nuk i është lejuar të kenë toka, por vetëm pronë afariste, material harxhues, mjete transportuese, ndërsa me ligjin e ri u mundësohet që të kenë në pronë edhe toka dhe parcela. (Fitim Pajaziti, TVM2)
