ShGM, SPGPM dhe KEMM, kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor

27.07.2018 18:18

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dhe Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni, përmes një kumtese të përbashkët janë shprehur kundër ndryshimeve dhe plotësimeve të miratuara të Kodit Zgjedhor.

Këto ndryshime, sipas tyre, janë sjellë në mënyrë jotransparente, me konsensus të partive politike pas dyerve të mbyllura dhe e cenojnë punën e medias në kohë të fushatës parazgjedhore dhe janë në kundërshtim me qëndrimet dhe sugjerimet e shoqatave gazetareske.

“Qëndrimi i ShGM, SPGPM dhe KEMM të cilin e dinin partitë politike për të ndërprerë reklamimin të paguar politik gjatë fushatave zgjedhore në mediat private, ndërsa me ndryshimet e Kodit Zgjedhor jo vetëm se e legalizojnë këtë, por edhe mundësojnë kjo gjë të bëhet me para publike të qytetarëve. Absurd edhe më i madh është se ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor e autorizojnë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, për efikasitetin e të cilit ishim dëshmitarë në të gjitha ciklet zgjedhore, t’i regjistrojë mediat onlajn të cilët do të raportojnë për zgjedhjet si dhe ta monitorojë dhe vlerësojë punën e tyre. Rikujtojmë se nuk ekziston praktik evropiane për ndjekjen e mënyrës së raportimit të mediave onlajn dhe se me këtë qasje prishet koncepti i vetërregullimit në media”, thuhet në njoftimin e përbashkët. Ata më tej shtojnë se ndryshimet parashikojnë edhe dënime për mediat tradicionale dhe online në vlerë prej 4.000 euro, për raportim të pabalancuar dhe të paanshëm sipas nenit 181-a të Kodit Zgjedhor.

“Këto ndryshime të dëmshme në Kodin Zgjedhor nuk janë në favor të reformave të bllokuara mediatike dhe pa dyshim ato do të ndikojnë negativisht në punën e mediave dhe në ambientin gjithëpërfshirës demokratik në kohë të fushatës parazgjedhore”,- thuhet më tej në njoftim.