Prishtinë, Demaçi varroset nesër me ceremoni shtetërore

27.07.2018 19:01

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë komemorative për vdekjen e veprimtarit politik, Adem Demaçit....

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë komemorative për vdekjen e veprimtarit politik, Adem Demaçit, i cili vdiq dje në Prishtinë, në moshën 82 vjeçare.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lart figurën e veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçit. Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të këtyre 100 vjetëve të fundit, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq”,- deklaroi kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se vepra e Demaçit nuk do të harrohet kurrë dhe se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për shqiptarët.

“Nuk u ndal kurrë së menduari për atë se si të ndërtohet një shtet i pavarur e demokrat dhe i barabartë me të tjerët. Ndarja e Adem Demaçit nga jeta është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzimin. Personaliteti i tij unik është i pazëvendësueshëm dhe vepra e tij nuk do të harrohet kurrë”,- theksoi kryetari i kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vaselika Hysi,tha se ndarja e Adem Demaçit nga jeta na thërret për t’u bërë më të fortë.

“Sot, në emër të kryetarit të Shqipërisë dhe në emër të të gjithë kolegëve të mi, deputetëve të mi, shpreh ngushëllimet për këtë humbje. Kosova e lirë humbi një ndër frymëzuesit dhe martirët e saj. Ndarja nga jeta e Adem Demaçit thërret për t’u bërë të gjithë më të fortë”,- u shpreh nënkryetarja e kuvendit të Shqipërisë, Vaselika Hysi.

Mandela e Kosovës, Adem Demaçi, ishte ndër figurat e rralla i cili sakrifikoi mjaft për shtetin e pavarur të Kosovës. Ai mbajti shumë vite burg për qëndrimet dhe vlerësimet e tij. Demaçi ato nuk i ndryshoi as kur u kthye liria. Janë të shumta deklaratat e tij për të cilat ai do të mbahet mend, por që në çdo deklarim ai asnjëherë nuk harroi të tregojë dashurinë ndaj atdheut, duke çuar porosi se si duhet liria dhe pavarësia. Ai në vazhdimësi porosiste autoritetet serbe që “në politikë kurrë mos thuaj kurrë”.

Lamtumirën e fundit simbolit të qëndresës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ia dhanë përfaqësues të shumtë politikë nga të gjitha trevat shqiptare, artistë, intelektualë dhe shumë qytetarë shqiptarë të cilët e vlerësuan lart veprimtarinë e tij politike.

Homazhet për nder të figurës së tij kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli tre ditë zie kombëtare. Ceremonia shtetërore e varrimit të tij do të bëhet nesër tek varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. (Merita Gashi, TVM2)