Botë

Prishtinë: Iu dha lamtumira e fundit Adem Demaçit

28.07.2018 12:19

Me nderime të larta shtetërore, në prani të një numri të madh të qytetarësh dhe zyrtarë nga të gjitha trevat shqiptare...

Me nderime të larta shtetërore, në prani të një numri të madh të qytetarësh dhe zyrtarë nga të gjitha trevat shqiptare, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë u varros veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
 
Nën përcjelljen e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të shumë qytetarëve, trupi i pajetë i Demaçit u soll në Velani, pas cremonisë komemorative ku të pranishmive iu drejtua Abetarja, vajza e Adem Demaçit, e cila tha se e kishte një baba që e ndau me të gjith shqiptarët, prandaj ai ishte babai i kombit.
 
“Unë kisha një baba që e ndava me të gjith shqiptarët sepse ai edhe mua më ka konsideruar si një pjesë të popullit të vet. Ndërsa mesazhi që ma dha pasi u sëmur ishte më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja”. Kështu si jemi nuk e njohim veteveten, nuk e dim rëndësinë e bashkimit prandaj do të na përsërit historia”, shprehet vajza e Adem Demaçit, Abetare Demaçi.
 
Në Ceremoninë komemorative në Sheshin Skënderbeu, në Prishtinë Liderët politikë shqiptarë lartësuan figurën dhe kontributin e Demaçit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
“Kosova qe dy ditë është në zi, bota shqiptare në pikëllim. Sot më 28 korrik kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetë-mohua tërë jetën për qëllimin madhor lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar”…Bota pa ndahet nga Mandela i Europës. Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale dhe morale jetoi për një qëllim: pavarësinë e Kosovës, çlirimin nga Serbia dhe bashkimin kombëtar. Ai i flijoi 28 vjet në burgjet jugosllave, pa u thyer dhe mposhtur”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Në jetën e tij ai asnjëherë nuk u dorëzua e nuk u step. I dashur baca Adem, jeta jote ishte luftë dhe ti këtë luftë e fitove, jeta jote ishte sakrificë, por ti ia dole t’i kalosh ato me urtësi e qetësi”, theksoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Demaçi ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare,  më 26 korrik, në shtëpinë e tij në Prishtinë. Përveç veprimtarisë së tij patriotike Adem Demaçi la pas vete edhe krijimtarinë e tij letrare. Ndër veprat më të njohura të tij është romani “Gjarprinjt e gjakut”.
 
Edhe me këtë roman porosia  e Adem Demaçit ishte me karakter kombëtar, ai apelonte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe tër energjitë t’i orjentojnë kundër pushtuesit.
 
Adem Demaçi për veprimtarinë e tij është nderuar me Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në vitin1991, me Çmimin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos në vitin 1995 dhe “Urdhërin hero i Kosovës” në vitin 2010. 
 
Shkrimtari Selatin Novosella i ka dedikuar edhe një libër të cilin e ka titulluar “Demaçi-njeri i lavdisë”. 
 
FLORIE KAMBERI