Beograd, vritet avokati që mbrojti Millosheviqin

29.07.2018 14:47

Mbrëmë është qëlluar për vdekje në Beograd avokati që dikur ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq....

Mbrëmë është qëlluar për vdekje në Beograd avokati që dikur ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq gjatë gjykimit të këtij të fundit për krime lufte në Hagë.

Dragoslav Ognjanoviq, 57-vjeç, është vrarë jashtë ndërtesës ku jetonte në Beograd në orët e vona të natës së kaluar, ka njoftuar Ministria e Brendshme serbe. Kjo Ministri, përmes një deklarate, ka thënë se edhe djali 26-vjeçar i avokatit Ognjanoviq, është plagosur me armë zjarri në krahë. Policia ende është duke kërkuar për sulmuesin dhe nuk ka informacione për motivin e këtij sulmi. Ognjanoviq kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Millosheviqit gjatë gjykimit të tij në Tribunalin për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. 

Ognjanoviq poashtu ka qenë avokat në një numër të madh të rasteve të profilit të lartë të mafias në Serbi dhe Mal të Zi.

Në një deklaratë të përbashkët, të Shoqatës së Avokatëve të Serbisë dhe Shoqatës së Avokatëve të Beogradit, thuhet se vrasja e Ognjanoviq është “e fundit në serinë e sulmeve ndaj avokatëve”.

“Ne do të ushtrojmë presion maksimal karshi autoriteteve kompetente shtetërore për të gjetur autorët e këtij krimi sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.