Indonezi, 14 të vdekur e 160 të lënduar nga tërmeti

29.07.2018 20:04

Të paktën 14 persona kanë vdekur dhe mbi 160 të tjerë janë lënduar....

Të paktën 14 persona kanë vdekur dhe mbi 160 të tjerë janë lënduar, pasi një tërmet i fuqishëm goditi një ishull turistik në Indonezi, njoftuan zyrtarët.

Mijëra shtëpi po ashtu janë dëmtuar pasi tërmeti prej 6,4 shkallësh të Rihterit goditi ishullin Lombok, ka thënë Sutopo Purwo Naugroho, zëdhënës i agjencisë kombëtare për katastrofa.

Një shtetas i Malajzisë është në mesin e viktimave, ka thënë Ministria e Jashtme e Majalzisë. Tërmeti i fuqishëm është pasuar nga disa tërmete më të vegjël. Ishulli Lombok për çdo vit vizitohet nga turistë të shumtë nga e mbarë bota dhe gjendet rreth 40 kilometra në lindje të ishullit Bali.

Indonezia, që është arqipelagu më i madh në botë, shpesh goditet nga tërmetet, pasi gjendet në të ashtuquajturën “Unazë të Zjarrit”, një hark vullkanesh që gjenden në Rripin e Paqësorit.