Maqedoni
Stoltenberg sot vjen në Shkup
05.09.2018 10:58
Bashkimi Evropian po intensifikon aktivitetet në mbështetje të Maqedonisë për referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen me Greqinë, që parasheh zgjidhjen e kontestit të emrit....

Me këtë marrëveshje zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, pasi me zgjidhjen e çështjes së emrit, Greqia më nuk do t’i vendosë veto Maqedonisë për inkuadrimin në këto dy organizata. Sonte në Shkup pritet të arrijë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel, vizita e së cilës vlerësohet si historike për autoritetet e Maqedonisë.
Gjermania konsiderohet si një nga shtetet që më së shumti ka mbështetur zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë si dhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është e dyta brenda këtij viti. Jens Stoltenberg edhe kësaj radhe pritet të rikonfirmojë mbështetjen e Aleancës që Maqedonia të bëhet shteti i 30 i saj, por që kjo të bëhet, kreu i Aleancës do të kërkojë që referendumi të ketë sukses.
Mbështetje për referendumin Maqedonia ka marrë edhe nga Austria, e cila aktualisht kryeson me Bashkimin Evropian. Edhe pse në opinion njihet si mbështetës i politikave të qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, tani kancelari austriak, Sebastian Kurz, qartë ka bërë me dije se mbështet Marrëveshjen e Prespës, ndërsa gjatë vizitës së fundit në Vjenë të kryeministrit aktual, Zoran Zaev, ka thënë se “marrëveshja paraqet hap vendimtar në procesin e afrimit të Maqedoninë në Bashkimin Evropian”.
Vizita e liderëve evropianë vjen në momentin kur partitë në Maqedoni kanë intensifikuar fushatën për referendumin e 30 shtatorit.
