Maqedoni

Sot bëhen 21 vjet nga vdekja e Shën Terezës

05.09.2018 11:30

Sot bëhen 21 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes Shën Tereza. “Ajo asnjë vepër të saj nuk e ka nisur pa adhuruar Zotin në Eukaristi....

T’i përngjajmë edhe ne asaj me lutje e adhurim. E lumja Nënë Tereza – lutu për ne! Ejani ta nderojmë bijën tonë të shenjtë, Nënën e njerëzimit, ambasadoren e popullit tonë të lashtë!”, është thirrja për të marrë pjesë në meshën e të premtes në katedrale.
 
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë.
 
Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, në Vatikan, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit, ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. Dy janë mrekullitë e njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare. E para ishte dëshmia e Monika Besras - nënës së 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës së Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak.
 
Ngjarja ndodhi në vitin 1998, një vit pas vdekjes së Nënë Terezës. Kjo mrekulli u njoh në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.