Botë
Thaçi: Synojmë të marrim e jo të japim territor
05.09.2018 14:03
Synim i institucioneve kosovare është arritja e një marrëveshje të përhershme me Serbinë....

Synim i institucioneve kosovare është arritja e një marrëveshje të përhershme me Serbinë, duku synuar normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve që do të përfundonte me njohje reciproke. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit epilogu i marrëveshjes me Serbinë synohet të arrihet në pranverën e vitit të ardhshëm. Duke sqaruar edhe një herë qëndrimin e tij për korrigjim të kufijve, Thaçi tha se kjo nuk nënkupton ndarjen e Kosovës, pasi synim është që përmes korrigjimit të merret territor e jo të jepet. Thaçi njëherit theksoi se kërkesa e Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovës është legjitime.
“Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve e as krijim të Serbska Republika në Kosovë. Korrigjim të kufirit do të ketë, e theksoj sot shumë hapur dhe fuqishëm, jam në favor që ta plotësoj kërkesën e Preshevës dhe Medvegjës e Bujanocit në demarkimin e kufirit me Serbinë, jemi që ato t’i marrim. Kjo temë është institucionalizuar nga ana ime dhe është legjitime dhe e drejtë respektimi i kësaj teme. Këto ditë kam dëgjuar ide të ndryshme nga individ të partive mirëpo nuk do të lejoj ide për ndarje korrigjim apo shkëmbim. Në këtë drejtim jam për me marr dhe jo me dhënë”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, ky qëndrim i presidentit Thaçi ka hasur në kundërshtimin e partive opozitare në Kosovë. Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicën, vlerëson kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sipas të cilit me përhapjen e idesë për shkëmbim territoresh, Kosova heq dorë nga Veriu, ndërsa e ka të vështirë marrjen e Luginës.
“Me këtë qëndrim të presidentit ka tendencë të kthehemi në kohën kur Kosova e kishte ende statusin e hapur. Me tezën për shkëmbim territorial nga pala kosovare disa eksponentë kanë hequr dorë nga veriu e Luginën nuk do ta marrin. Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicë. Kufijtë e Kosovës duhet të konsiderohen të Kosovës dhe asnjë person nuk ka të drejtë t’i vendosë në tavolinën e diskutimeve”,- tha kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e quan tragjike idenë për shkëmbimin e territoreve, pasi kjo ide, sipas tij, është rezultat i politikave të Serbisë dhe Rusisë.
“Ne veriun e Kosovës nuk e kemi në kontroll, ende banda kriminale i terrorizojnë njerëzit atje. Është krijuar pasiguri e madhe ekonomike, politike e sociale te qytetarët e Kosovës dhe duhet një mandat i tërë për t’i rikuperuar këto dëme. Shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i politikës ndërkombëtare. Kjo është ide e Serbisë dhe e Moskës e përkrahur nga disa kuzhina të krijuara në Kosovë”,- theksoi Avdulla Hoti nga LDK.
Kundër ndryshimit të kufijve është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
GYLTENE SINANI
