Ekonomi
Osmani: Institucionet të shfrytëzojnë fondet IPA
05.09.2018 13:33
Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani....

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në shoqërim të ministrit të arsimit dhe shkencës, Arbër Ademit, dhe kryetarit të komunës së Likovës, Erkan Arifit, vizituan gjimnazin “Ismet Jashari” në komunën e Likovës. Ata nga afër u njoftuan me kushtet që u ofron kjo shkollë nxënësve.
“Kjo shkollë është ndërtuar një pjesë nga bashkëpunimi bilateral, diku 300.000 euro, 230.000 euro nga IPA fondet dhe 230.000 euro nga buxheti i komunës. Pra, jam këtu më tepër për të treguar mesazhin e këtij bashkëpunimi me donatorë të huaj dhe nga buxheti vendor”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Osmani gjithashtu apeloi deri tek të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për përfitimin e fondeve që do të ndahen nga bashkëpunimi ndërkufitar me Republikën e Kosovës.
“Shfrytëzoj këtë mundësi për të bërë apel, sepse kemi thirrje të re në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Kosovës, afati është deri më 1 nëntor, prandaj edhe institucionet, por edhe shoqatat e ndryshme, mund të aplikojnë për këto fonde të cilat mund të arrijnë për projekte individuale deri më 300.000 euro, që mund të jenë në shërbim të qytetarëve”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Vlen të theksohet se shumë prej investimeve kapitale në komunën e Likovës janë realizuar falë këtyre mjeteve, të fondeve IPA të BE-së si dhe nga bashkëpunimet ndërkufitare mes Republikës së Maqedonisë me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Bullgarisë.
FATLUM AQIFI
