Maqedoni

Qeveria, shpërndahen 760 administratorë sipas MO–së. 200 personave që refuzuan ofertën u jepet shansi i dytë

05.09.2018 17:13

760 punonjës administrativë kanë nënshkruar pëlqimin për shpërndarjen e tyre sipas Marrëveshjes së Ohrit...

760 punonjës administrativë kanë nënshkruar pëlqimin për shpërndarjen e tyre sipas Marrëveshjes së Ohrit, për 160 procedura në tërësi ka përfunduar dhe ata veç më shkojnë në punë, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.

Sipas tij, për 600 persona tjerë procedura për shpërndarjen e tyre sipas marrëveshjes së Ohrit është në rrjedhë e sipër.

Vendin e ofruar të punës e kanë refuzuar 200 persona sepse pozitat e ofruara nuk u janë përgjigjur arsimimit të tyre. Atyre do t’u jepet mundësi të transferohen në institucionet në të cilat ka nevojë dhe nëse edhe këtë radhë e refuzojnë ofertën, ata do të përjashtohen nga puna.

“Ata që nuk e kanë nënshkruar pëlqimin për sistematizim nga grupi i parë i 958 administratorëve, ata do të parashihen në shpërndarjen e tyre në grupin e dytë, e cila është duke u përgatitur dhe pjesa tjetër që nuk do përfshihet në grupin e dytë, do të jetë në listën e trasferit në të cilin Sekretariati për implementimin e marrëveshjes së Ohrit e përgatit bashkë me Ministrinë për Shoqëri Informatike”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnajkovski, pyet rreth përmendores së Xhemo Hasa Ballistit në fshatin Simnicë të Gostivarit, e cila, siç u tha, është e paligjshme. Boshnjakovski tha se ajo përmendore është vendosur në vitin 2006, që do thotë se 12 vite askush nuk e ka parashtruar këtë çështje si kontestuese.

Po ashtu ai tha se edhe në qendër të Shkupit qeveria e kaluar ka vendosur përmendore me tetë metra gjatësi, që është jashtë përcaktimeve ligjore. Për zgjidhjen e këtyre rasteve, qeveria do të veprojë në pajtueshmëri me kushtetutën dhe ligjet, tha Boshnjakovski.

FLUTURA LATIFI