Botë

Kalkutë, shënohet dy vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës

05.09.2018 19:11

Miliona njerëz në botë kanë kujtuar sot Nënë Terezën, në dy vjetorin e shenjtërimit të saj nga Vatikani...

Miliona njerëz në botë kanë kujtuar sot Nënë Terezën, në dy vjetorin e shenjtërimit të saj nga Vatikani, që përkon gjithashtu edhe me 21-vjetorin e ndarjes nga jeta. Shkupjania shqiptare u shndërrua në një nga misionaret më të mëdha të luftës kundër varfërisë, për të cilën mori edhe Çmimin Nobel.

Veprimtarinë e saj, Nënë Tereza e zhvilloi kryesisht në Kalkuta, Indi, ku shkoi më 1929-ën dhe ku prehet aktualisht, pasi vdiq më 5 Shtator të vitit 1997, pas një ataku kardiak.

Në Kalkuta u organizuan ceremoni të ndryshme lutjeje, ndërsa shumë murgesha, bashkë me publikun e gjerë, ndezën qirinj në “Mother House”, që ndodhet në këtë qytet. Edhe Kisha Katolike në Indi mbajti një meshë paraditen e sotme, ku u përkujtua veprimtaria hyjnore e Nënës së Shenjtë dhe u ndezën qirinj në nderim të saj.

Shën Tereza u përkujtua edhe në Vatikan, aty ku Papa Françesku e shpalli “Shën Tereza e Kalkutës”, dy vite më parë.