Maqedoni

Stoltenberg: Anëtarësimi pa marrëveshjen është iluzion; Zaev: Pres opozita të tregojë unitet; Mickoski: Marrëveshja me Greqinë, e papranueshme; Ivanov:Marrëveshja, e keqe. BE dhe NATO, alibi?!; Xhaferi: Përmbushim agjendën reformuese

06.09.2018 18:11

Idea për anëtarësim në NATO pa zbatuar Marrëveshjen me Greqinë është një iluzion...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg është i prerë. “Dilni në referendum dhe vendosni për Marrëveshjen me Greqinë dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.”

Kjo është porosia e Stoltenberg drejtuar qytetarëve por edhe opozitës dhe presidentit. Qëndrimi i opozitës dhe presidentit se janë pro integrimit por kundër Marrëveshjes nuk është alternativë. Sipas tij, ky është shansi historic dhe i vetëm.

“Nëse dikush mendon se mund të deklarohet kundër në referendum dhe të thotë “Po” për anëtërsim në NATO, alternativë e tillë nuk ekziston. Ose do t’i thoni “PO” Marrëveshjes, Referendumit dhe anëtarësimit në NATO ose idea se mund të hidhni poshtë Marrëveshjen me Greqinë dhe të anëtarësoheni në NATO është iluzion. Për disa javë do të mbani referendumin në lidhje me marrëveshjen për emrin. Ky ështe vendimi i juaj prandaj, inkurajoj votuesit që të dalin në numër të madh. Ky është rast që të jepet një herë në jetë që të bëheni anëtare e plotfuqishme e Organizatës me të gjitha të mirat që sjell ajo”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kreyministri Zaev nuk dyshon në suksesin e referendumit, por dëshiron që vendimi të merret me konsenzus të gjërë. Ai ftoi opozitën që të përfshihet në process pasi integrimi në NATO dhe BE janë prioritet strategjike të vendit.

“Referendumi më 30 shtator do të jetë edhe një sfidë e rëndësishme, jemi në udhëkryq historik për të ardhmen tonë. Jam i bindur se qytetarët do ta dallojnë rëndësinë për momentin dhe perspektivën e vendit tonë. Në këtë drejtim pres që partitë politike me relevancë, posaçërisht opozita do të tregojnë unitet dhe do të përfshihen në proceset. Integrimi në BE dhe NATO janë prioritetet tona strategjike kombëtare. Me votimin në referendum qytetarët do të realizojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë në vendimmarrje”, theksoi kryeministri Zoran Zaev.

Sipas Zaev, qeveria ka themeluar të gjitha trupat dhe ka ndërmarrë të gjitha masat për zbatimin e reformave të nevojshme. Pas, referendumit të suksesshëm do të vazhedohet me ndryshimet kushtetuese që protokolli për anëtarësim në NATO të mund të nënshkruhet në fillim të vitit 2019 dhe vendet anëtare të NATO-s të mund të fillojnë procesin e ratifikimit.

Përkundër mesazheve të Stoltenberg dhe ftesës së kryeministrit Zaev, VMRO DPMNE ende nuk ka ndryshuar qëndrimin kundër marrëveshjes ndërsa qëndrimin rreth pyetjes së referendumit do ta ndërtojë sëshpejti.

“Kreu i VMRO DPMNE-së, Mickoski theksoi se VMRO DPMNE mbështet integrimet e vendit në NATO, dhe se anëtarësimi në këtë organizatë si dhe integrimet në Unionin Evropian janë interes strategjik I vendit. Njëkohësisht, theksoi se marrëveshja me Greqinë është e papranueshme për VMRO DPMNE-në dhe është jashtë parimeve të saj të njohura. VMRO DPMNE mbetet në qëndrimin për mospranimin e saj.”- thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.

Edhe kreu i shtetit, Gjorge Ivanov, i ka kumtuar shefit të NATO-s se marrëveshja me Greqinë është Marrëveshje e keqe.

“Besoj se vendi i duhur i Republikës së Maqedonisë është në BE dhe NATO. Do të vazhdojmë të mbështesim qëllimet tona strategjike. Por, BE dhe NATO në asnjë rast nuk duhet të jenë alibi për marrëveshje të keqe.”thuhet në kumtesën e Presidencës.

Për dallim nga presidenti, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka sigurauar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për zbatimin e reformave duke shfaqur shpresë se edhe qytetarët do ta vërtetojnë përcaktimin e tyre për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO në referendumin e 30 shtatorit.

“Republika e Maqedonisë punon me përkushtim në përmbushjen e agjendës reformuese, përmes planeve vjetore për anëtarësim, por edhe me miratimin e Pasqyrës strategjike të mbrojtjes, e cila parasheh modernizimin e Armatës dhe mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë.”-thuhet në kumtesën e Kuvendit.

SHPËTIM NUREDINI