Dialogu Prishtinë- Beograd: Thaçi dhe Vuçiç nuk takohen në Bruksel
Megjithëse kishte paralajmërime, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç nuk u takuan “kokë më kokë” në Bruksel...

Megjithëse kishte paralajmërime, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç nuk u takuan “kokë më kokë” në Bruksel, nën ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Lajmi është bërë i ditur nga Marko Gjuriç, shefi i Zyrës Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Thaçi dhe Vuçiç zhvilluan takime të ndara me Mogherinin, por nuk ka informacion nëse dy Presidentët do të takohen në një moment të dytë.
Pas takimit me Mogherinin, presidenti I Kosovws Hashim Thaçi deklaroi se “Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB.
Ky rrugëtim do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme”, ka shtuar më tej ai.
“Po hyjmë në një fazë të re të dialogut mes Kosovës e Serbisë, Kjo gjendje ‘status quo’ është e paqëndrueshme, ky konflikt i ngrirë është i paqëndrueshëm duhet të lëvizim drejt së ardhmes europiane. Ky dialog ka shpirtin europian vlerat euroatlantike të paqes së stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. E ritheksoj, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare, ka kuptim vetëm atëherë kur të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe fitimin e njohjeve globale. Askush çështjen e negociatave, nuk mund ta lidh me çështje të ndryshme të ndodhura në botë. Njerëzit do të jetojnë me shtetësi të plota të tyre. Në Kosovë do të ruhet substanca dhe rrethi multientik sipas rrethit dhe rendit të saj. Të gjitha tonet për luftë dhe refugjatë janë absurde”, ka deklaruar Presidentit i Kosovës Hashim Thaçi.
