Maqedoni

Merkel në Shkup: Keni para jush shancin historik, shfrytëzojeni! Zaev: Të përpiqemi për një Ballkan të ri europian

08.09.2018 15:15

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, në vizitën e saj të parë zyrtare në Shkup....

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, në vizitën e saj të parë zyrtare në Shkup, që përkon edhe me ditën e pavarësisë së vendit tonë dhe me 27 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, porositi qytetarët se gjenden para një momenti historik që duhet shfrytëzuar në maksimum. 30 shtatori është mundësia juaj historike për të vendosur për fatin tuaj, tha Merkel duke ripotencuar mbështetjen gjermane në procesin reformues dhe rrugëtimin euroatlantik të vendit.  
 
“Kuptohet që nuk dua të përzihem në vendimin e  qytetarëve tuaj, por nga përvoja personale mund të them se ky është një shanc historik i cili nuk vjen çdo herë. Një gjeneratë ka vetëm një herë këtë rast historik të vendos për të ardhmen. Andaj unë dua t’ju them mos rini në shtëpi në këtë ditë historike, por shfrytëzoni mundësinë tuaj demokratike të thoni atë se çfarë mendoni apo atë që duani ta thoni për ardhmërinë e shtetit tuaj”, tha Merkel. 
 
Në pyetjen e gazetarëve se a mund  të ketë izolim të vendit në rast se referendumi dështon, Merkel me përgjigje të prerë se asnjë nga këshillat e ndërkombëtarëve nuk duhet të merret si kërcënim, por vetëm si këshillë qëllimmirë, pasi Europa dëshiron që ta ketë Maqedoninë anëtare të saj. 
 
"Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje Maqedonia nuk mund të jetë anëtare e NATO-së dhe BE-së, kjo nuk është një lidhshmëri e bërë nga qeveria, por është një lidhshmëri e cila ekziston për atë se të gjitha vendet anëtare në BE dhe NATO duhet të votojnë për këtë. Ata nuk do të votojnë nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Për atë është shumë e rëndësishme kjo lidhshmëri të jetë e qartë, këtu nuk ka kërcënime", shtoi Merkel.
 
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev , e sheh vizitën e Merkelit në Shkup në ditën e pavarësisë së vendit, si një sinjal të qartë të referencës së të shkuarës dhe të ardhmes, e si  një vizitë domethënëse për synimet e Maqedonisë drejt integrimeve në NATO dhe BE.
 
“Kjo vizitë tregon se forcat e mëdha ndërkombëtare mbështesin marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ne na mbetet që ta përshpejtojmë anëtarsimin në NATO dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me këtë rast dua të falenderoj zonjën Merkel që e inicoi procesin e Berlinit. Është shumë e rëndësishme që Gjermania edhe më tej të mbetet e përkushtuar në këtë iniciativë, kurse ne, vendet e Ballkanit Perendimor, të japim rezultate që do të mundësojnë formimin e një Ballkani të ri evropian dhe të një Maqedonie evropiane", tha Zaev. 
 
Merkel dhe Zaev folën edhe për marrëdhien e ngushta ekonomike mes dy shteteve, duke theksuar se këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Gjermanisë ka arrritur në vlerë 3.6 miliardë dollarë, kurse 47% nga eksporti i përgjithshëm vendor, shkon drejt Gjermanisë. Merkel tha se Gjermania do të ndihmojë edhe  në formimim e një komitetit të përbashkët i cili do të intensifikoj bashkëpunimin ekonomik dhe do të delegoj këshilltarë ekonimik në kabinetin e kryeministrii Zaev.
 
ERSAN PAJAZITI