Maqedoni
VMRO ende pa qëndrim për referendumin, Mickovski: Qëndrimi përfundimtar, javën që vjen
08.09.2018 17:29
Edhe dy ditë para fillimit të fushatës zyrtare, lideri i VMRO-së Hristian Mickovski, vazhdon të mbajë të fshehtë qëndrimin e partisë së tij për referendumin...

Këtë qëndrim nuk ja sqaroi as kancelares Merkel, në takimin rreth 20 minutësh që u zhvillua në ambasadën gjermane. Mickovski nuk deshi as të komentojë se cfarë u bisedua në takim, duke u arsyetuar se është jashtë bontonit të tregohet ajo që është biseduar sy më sy.
“Ishte një takim” tete-a-tete” me kancelaren Merkel, një takim miqësor si liderë të dy partive simotra. Theksi kryesor në takim u vu në referendumin e ardhshëm. Tregova qëndrimet e partisë sonë dhe se përse VMRO-DPMNE nuk mund ta pranojë marrëveshjen me Greqinë. Potencova se, ne si parti do të orientohemi sipas vullnetit të qytetarëve. Javën e ardhëshme do të kemi takim me trupat partiakë dhe do të vendosim për qëndrimin tonë përfundimtar për referendumin e 30 shtatorit”, tha Hristian Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kancelarja Merkel u largua nga Maqedonia menjëherë pas këtij takimi, pa deklaratë shtesë, pasi më herët gjatë pres konferencës së përbashkët me kryeministrikn Zaev, potencoi se edhe Mickovskit do t’ja thotë të njejtat qëndrime, pra se politikanët, në momentet kyçe, duhet të marrin përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e tyre. Nuk ka pasur ndërkohë një takim me presidentin e vendit Gjorge Ivanov e as me liderët e partive të tjera.
