Maqedoni
Johnson: Është shumë e rëndësishme të dilni të votoni
09.09.2018 14:00
Vazhdojnë vizitat në vend të ndërkombëtarëve që përkahin antarësimin e vendit në NATO dhe BE....

Senatori amerikan Ron Johnson, që është propozues i rezolutës së Senatit amerikan për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, qëndroi në Shkup , ku në takimet me zyrtarë të lartë qeveritarë , potencoi se rruga drejt NATO-s, kalon përmes Prespës. Për të është e rëndësishme që qytetarët të dalin dhe të lirë të tregojnë vullnetin e tyre, cilido qoftë ai.
Johnson deklaron se Marrëveshja i hap rrugë integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe afirmon stabilitetin e rajonit që është interes i rëndësishëm kombëtar i SHBA-ve. Johnson përveç Maqedonisë pritet të vizitoj edhe Greqinë, Serbinë dhe Kosovën.
"Është shumë e rëndësishme për Maqedoninë dhe Greqinë që të zgjidhin çeshtjen e emrit. Kemi dy liderë të guximshëm, dy kryeministra, të cilët kanë qenë në një pozitë të vështirë. Ne sigurisht që duam ta mbështesim zgjidhjen e këtij problemi, dhe kjo është mënyra e vetme që Maqedonia t’i bashkohet NATO-s. Do të doja që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo është shumë e rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit dhe të Maqedonisë. I inkurajoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë të dalin për të votuar në referendum, pa dallim nëse pajtohen ose jo me marrëveshjen e arritur. Ju duhet të dilni dhe të votoni për t’ju treguar udhëheqësve tuaj se çfar ndjeni. Është tepër e rëndësishme që të dilni dhe të votoni", tha senatori amerikan Ron Johnson.
