Maqedoni

BDI: Referendumi, përcaktim për ardhmëri europiane

09.09.2018 14:54

Të hënën fillon fushata zyrtare për referendumin e 30 shtatorit.....

Tashmë është e qartë se cilat parti  politike përbëjnë bllokun “për”. BDI, do të  filloj nga Tetova fushatën e saj “pro” referendumit.
 
Në takime me grupe të ndryshme të interesit, qytetarë, afaristë, akademikë, integristët do të sqarojnë përfitmet nga antarësimi në BE dhe NATO,  jo vetëm si qytetarë por edhe si shqiptarë. BDI fton edhe opozitën të bëhet pjesë e procesit.  
 
“Aktivistët tanë do të trokasin derë më derë tek të gjithë qytetarët dhe do ti ftojnë ato që të dalin dhe të përcaktohen për Maqedoninë evropiane. Vlerësojmë se referendumi i 30 shtatorit është përcaktim i qytetarëve për BE dhe për NATO. Duke marrë parasysh rëndësinë historike të 30 shtatorit, ftojmë edhe opozitën në vend ti bashkangjitet forcave progresive dhe të marrin pjesë me votë, “për” ose “kundër” të ardhmes euro-atlantike të Maqedonisë”, tha Arbër Ademi, zëdhënës i BDI-së për fushatën e referendumit.
 
Edhe  partitë e tjera shqiptare tashmë kanë vendosur se në cilin krah do të jenë. Partia Demokratike Shqiptare ka filluar  aktivitetet në terren në mbështetje të referendumit dhe integrimit në strukturat euroatlantike që janë strategji jo vetëm partiake por edhe mbarëshqiptare.
 
Besa e Afrim Gashit gjithashtu i është bashkangjitur koalicionit “pro” referendumit dhe ka krijuar strukturën partiake për fushatën. Edhe pse ndaras nga fushata qëndrore , “pro “ referendumit do të bëjnë fushatë të vecantë edhe sy subjektet e tjera të opozitës shqiptare, besa e Bilall Kasamit dhe Aleanca për shqiptarët. 
 
ERSAN PAJAZITI