Informimi i TVM 2 gjatë referendumit
TVM 2, kanali i dytë i Servisit Publik, gjatë fushatës për referendumin dhe në vetë ditën e votimit....
TVM 2, kanali i dytë i Servisit Publik, gjatë fushatës për referendumin dhe në vetë ditën e votimit, do t’i përmbahet parimeve të informimit të balancuar, të drejtë e të paanshëm, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara që do të jenë pjesë e propagandës publike, duke u dhënë mundësi kështu qytetarëve të njihen me të gjitha qëndrimet e palëve, që në fund të njëjtët të mund të vendosin në mënyrë të pavarur nëse apo si do të votojnë në referendumin për emrin, që mbahet më 30 shtator.
TVM 2 nuk do të favorizojë asnjë nga palët në referendum, nuk do të emitojë porosi që rrezikojnë sigurinë kombëtare, që ftojnë në rrënim të dhunshëm të rendit kushtetues, në agresion luftarak apo konflikt të armatosur, që përhapin diskriminim, padurueshmëri, apo urrejtje të çdo lloji, të ndaluar me ligj. Redaktorët, gazetarët, drejtuesit e emisioneve dhe prezantuesit e lajmeve, nuk guxojnë të jenë pjesë e çfarëdolloj propagande në lidhje me referendumin, e nëse përcaktohen për një gjë të tillë, duhet të vënë në pushim angazhimin e tyre të punës, nga dita e fillimit të fushatës e deri në mbajtjen e referendumit.
Në bashkëpunim me KShZ-në, TVM 2 do të informojë qytetarët për mënyrën dhe teknikën e votimit, si dhe për të gjitha informacionet e tjera të lidhura me procesin e votimit. TVM 2 do të mbulojë aktivitetet rreth propagandës publike të referendumit në edicionet e lajmeve dhe ditaret televizive, duke siguruar për të gjitha palët e përfshira në proces, informim të balancuar, bazuar në standardet gazetareske, Kodin Etik të gazetarëve dhe Rregulloren e brendshme të etikës së Servisit Publik.
TVM 2 gjithashtu do të ketë edhe debate dhe intervista javore, në të cilat qytetarët do të mund të dëgjojnë përballjen e qëndrimeve të palëve pjesëmarrëse në fushatë. TVM 2 do të bëjë njëkohësisht edhe sqarime përmes mendimit të ekspertëve rreth përmbajtjes së pyetjes së referendumit, rregullativës ligjore, mënyrës së votimit dhe çështje të tjera të interesit publik, në kuadër të rolit edukues që ka Servisi Publik. TVM 2 nuk emiton program të paguar politik në bazë të ligjit.
Programet e tjera jashtë sektorit informativ, që emetojnë përmbajtje edukative, arsimore, sportive dhe argëtuese, nuk do të përdoren për prezantim të palëve të involvuara në referendum e as për intervista me bartës të funksioneve publike, të cilët mund të keqpërdorin ftesën për çështje të caktuara, për të bërë propagandë për referendumin.
TVM 2 do të publikojë anketat nga hulumtimi i mendimit publik vetëm nëse njihet qartë porositësi dhe nëse në anketë janë plotësuar të gjitha kushtet që e njëjta të cilësohet si e besueshme. TVM 2 do të respektojë në tërësi heshtjen zgjedhore para referendumit deri në përfundimin e procesit të votimit dhe rezultatet nga votimi do t’i informojë drejtpërdrejt përmes emisionit “Studio e hapur” në mbrëmjen e ditës së votimit.
Gjatë ditës së votimit, në edicionet informative do të jepen vetëm të dhënat për ecurinë e procesit, si dhe pres konferencat nga KShZ apo vëzhguesit e autorizuar të procesit të votimit në referendumin për emrin.