Maqedoni

Referedumi, kuvendi fillon zyrtarisht fushatën

10.09.2018 15:54

Filloi edhe zyrtarisht fushata e Kuvendit Republikan për referendumin e 30 shtatorit....

Filloi edhe zyrtarisht fushata e Kuvendit Republikan  për referendumin e 30 shtatorit, në të cilin 1 milion 806 mijë e 336 qytetarë me të drejtë vote, do të duhet të  deklarohen nëse janë “për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë”.
 
Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, si udhëheqës i trupit koordinues për fushatën e referendumit, së bashku me deputetë  të shumicës parlamentare , do të drejtojë fushatën informuese të Kuvendit,   për t’u sqaruar qytetarëve përfitimet nga Marrëveshja me Greqinë dhe integrimit të vendit ne Nato dhe BE.
 
Xhaferi të premten paralajmëroi fushatë  transparente dhe të drejtpërdrejtë, pa diskriminim, paragjykime dhe me respektimin e dëshirës së çdo qytetari. Ai njëkohësisht ftoi pjesëmarrësit  në fushatë për sjellje korrekte e dinjitoze e për tu dhënë mundësi qytetarëve që të sjellin vendimin e vërtetë më 30 shtator.
 
“Qëllimi ynë është që në mënyrë të detajuar t’i informojmë qytetarët për pasqyren e madhe, për përfitimet nga anëtarësimi ynë në NATO dhe në BE, që nuk nënkupton vetëm kufij të mbrojtur, politikë të jashtme të përbashkëta, dhe rrugë të hapura për qytetarët tanë. Anëtarësimi nënkupton më shumë investime të huaja, vende të punës, treg të madh për shitjen e produkteve, më shumë mundësi për arsim dhe përparim të gjeneratave të reja. Njëkohësisht anëtarësimi nënkupton edhe sundim të tërësishëm të të drejtës, shtetit juridik,  si dhe reforma në gjyqësi dhe në të gjitha sferat e jetës sociale”, tha Xhaferi.
 
Në fushatën e Kuvendit do të përfshihen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, që janë përcaktuar t’i bashkangjiten fushatës “për”. Kësaj fushate I janë bashkangjitur edhe partitë shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim, me moton “Për NATO dhe Europë”, fillon fushatën nga Tetova. PDSH, fillon nga Cairi fushatën me moton, “ Një hap para, për NATO dhe BE”, Besa e Gashit gjithashtu është pjesë e fushatës së partive parlamentare.
 
Besa e Kasamit dhe ASH, do të bëjnë fushata të veçanta, por gjithsesi pro integrimit në NATO dhe BE. Ende nuk dihet përcaktimi i VMRO-së, e cila pret fillimin zyrtar të fushatës për të dalë me qëndrim me siguri gjatë ditës së nesërme . Kuvendi do të blejë hapësirë mediatike në 65 media. Deputetët do të jenë të lirë që qëndrimet e tyre për referendumin t’i shfaqin edhe në njësitë e tyre zgjedhore, madje, sic sqaron kryeparlamentari Xhaferi, nuk ka asnjë pengesë ligjore që fushatës t’i bashkangjiten edhe përfaqësuesit e qeverisë, por edhe të partive, megjithatë kuvendi nuk mbulon harxhimet e tyre.