Ekonomi

100 mln euro kredi nga BIE, mbështetje për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla

11.09.2018 14:42

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë tashmë qasje në linjën e volitshme kreditore prej 100 milionë eurove nga Banka Investuese Evropiane...

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë tashmë qasje në linjën e volitshme kreditore prej 100 milionë eurove nga Banka Investuese Evropiane, që do të plasohet përmes Bankës së Maqedonisë për Mbështetje të Zhvillimit dhe 11 bankave afariste. Linja kreditore do të mund të shfrytëzohet për investime, furnizim të pajisjeve, materialeve ndërtimore, makinave, mjeteve transportuese, financim të mjeteve qarkulluese etj.

“Njëqind milionë eurot janë një pjesë e planit më të madh për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky kapital i freskët do të përmirësojë likuiditetin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, do të stimulojë investimet dhe krijimin e vlerës së re në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”,- deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Deri më tani mbështetja nga Banka Investuese Evropiane për vendin arrin në 450 milionë euro.

“Ne e dimë se ndërmarrjet e vogla janë shtylla kurrizore jo vetëm e ekonomisë në vendin tuaj, por në të gjithë Europën. Mbështetja jonë gjatë viteve të fundit ka kontribuar në krijimin e rreth 6 000 vendeve të reja të punës në vendin tuaj, në rreth 2.000 kompani të vogla dhe të mesme”,- tha zëvendësdrejtori i BIE-së, Endrju Mekdauel.

Kreditë do të ndahen në transhe prej 5 milionë euro, kompanitë do të mund të marrin pjesë me projekte në vlerë nga 6 mijë deri në 3 milionë euro. Linja kreditore pritet të ofrohet me norma interesi prej rreth 3,5 për qind, me afat kthimi prej 12 muaj me periudhë “grejs” prej dy deri në katër vjet, në varësi të projektit. Për kryeministrin Zaev kjo kredi e volitshme është sinjal se BIE ka njohur rritjen pozitive në ekonominë e vendit.

Kjo linjë kreditore është vetëm një nga mënyrat me të cilat qeveria mbështet kompanitë e vogla. Në buxhet janë paraparë 1,3 miliardë denarë për mbështetjen e kompanive të tilla dhe një miliardë denarë shtesë për masat aktive për punësim.

SEDAT SELIMI