Maqedoni
Ahmeti: Referendumi, vula që i jep vlerë paqes
12.09.2018 13:03
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është i bindur se shqiptarët do të votojnë pro BE-së dhe NATO-s në referendumin e 30 shtatorit....

I ftuar në emisionin Opinion, Ahmeti theksoi se Maqedonia gjendet para vendimit për të votuar për të ardhmen e vendit dhe paqen aq shumë të kërkuar. Ahmeti përkujton se ndërkombëtarët shumë herë kanë ripotencuar se vendet e Ballkanit Perendimor, duhet të zgjidhin problemet e brendëshme para se të inkuadrohen në BE, prandaj për të është mjaft e rëndësishme ruajtja e stabilitetit.
“A duam paqe, mardhënie të mira ndëretnike, stabilitet? Referendumi i 30 shtatorit është vula që i jep vlerë paqes, sepse do të përmbyllim kapitullin e stabilitetit që rri hapur tashmë 25 vite. Ky është referendumi për antarësim në NATO”, tha Ahmeti.
Ahmeti është i bindur se qytetarët do ti thonë po të ardhmes së tyre europiane, prosperitetit dhe sigurisë, se qytetarët e vecanërisht shqiptarët, do të votojnë pro realizimit të ëndrrës së tyre , që ka kohë që e kërkojnë. Sipas tij, BDI ka qenë pjesë e rëndësishme e bisedimeve për emrin, duke ua bërë të qartë dy palëve kryesore të përfshira në kontest, se clat emra të rinj të shtetit janë të pranueshëm për shqiptarët.
"Pa dyshim që shqiptarët do të votojnë për antarësimin në NATO dhe BE. Do të votojnë për realizimin e pritjeve të tyre dhe për një ardhmëri më të mirë e më të sigurtë…Kam bërë shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë dhe ua kam bërë me dije edhe atyre, por edhe palës maqedonase, se cilat emra janë të pranueshëm për shqiptarët. Me rëndësi është që ne shqiptarët gjithnjë kemi qenë pro zgjidhjes së këtij kontesti. Edhe maqedonasit janë të lodhur nga bllokimi i integrimit, pra atmosfera në përgjithësi është pozitive", tha Ahmeti.
Ahmeti rikujton se vendimet e mëdha, gjithnjë merren me kompromis, e në këtë kompromis, përfundimi është një fitore për të dyja palët.
"Përderisa jetojmë në një shtet, ne duhet të kujdesemi për indentitetin dhe historinë e njëri tjetrit. Unë nuk jam për revanshizëm. Ne duhet të dërgojmë mesazhin se nuk duam të sundojmë e as të bëhemi arbitra të problemeve të të tjerëve. Tani është koha për antarësim në NATO dhe për fillimin e bisedimeve me BE-në. Identiteti i bashkëqytetarëve tanë maqedonas dhe i vetë Maqedonisë, zor se mund të ekzistojnë jashtë NATO-s dhe BE-së", shtoi tha Ahmeti.
Sa i përket ligjit të gjuhëve, Ahmeti thotë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe referendumi vetëm do ta konkretizojë këtë.
