Maqedoni

Bushati në Shkup: Marrëveshja e Prespës, çelësi për ardhmërinë

13.09.2018 13:07

Ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Shkup...

Ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Shkup, përcolli mesazhe mbështetjeje për Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Në fokusin e takimeve me zyrtarë tjerë në Shkup, Bushati theksoi se është diskutuar rreth sfidave të përbashkëta me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
 
“Është një proces historik i rëndësishëm jo vetëm ndërmjet Shkupit dhe Athinës, por i rëndësishëm edhe për sa i përket stabilitetit demokratik të rajonit tonë dhe situatës së sigurisë, e natyrisht përcaktues për perspektivën euroatlantike dhe perspektivën europiane”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
“Mendoj që tani është momenti më i përshtatshëm për të thelluar këtë bashkëpunim, meqë jemi në një fazë të ngjashme të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian. Kemi kornizë precize kohore për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të vitit të ardhshëm, po fillojmë “skriningun” këtë muaj, janë procese të ngjashme, apo sfida me të cilat do të ballafaqohemi”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi takim edhe me homologun, Nikolla Dimitrov. Tema e takimit është fokusuar në mbledhjen e dy qeverive, për korridorin e 8 dhe projektet tjera infrastrukturore. 
 
“Për Shqipërinë është e rëndësishme që Maqedonia të ecë përpara, pra kjo i ndihmon ata, por e ndihmon edhe të gjithë rajonit. Mendoj se qëndrimi ynë është që sa janë më të suksesshëm fqinjët tanë, aq më shumë edhe Maqedonia do të jetë më e suksesshme”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
 
Bushati ka realizuar takim edhe me kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin, liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, si dhe me kryetarin e ASh-së, Ziadin Selën. Palët në këto takime u dakorduan se qëllimi i gjithë rajonit është të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI