Maqedoni

LSDM: Më 30 shtator vendosim për ardhmërinë e vendit

13.09.2018 15:14

Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë takimit të mbrëmshëm me qytetarët e Kumanovës...

Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë takimit të mbrëmshëm me qytetarët e Kumanovës, tha se zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë përforcon identitetin dhe gjuhën maqedonase, e tani është koha për të menduar edhe për një Maqedoni europiane. Kryeministri Zaev gjithashtu theksoi se tani është koha, më 30 shtator, të sillet vendim me të cilin do të krenohemi, vendim për gjeneratat e ardhshme.
 
“Fotografi më të mirë nuk ka që ta shohim Maqedoninë në NATO dhe BE. Gjenerata jonë ka shansin unik për të shkruar histori. Qytetarët do ta kenë fjalën e fundit, qytetarët do të vendosin, do të zgjedhin ardhmërinë, Maqedoninë europiane. Anëtarësimi në NATO dhe BE sjell investime të reja, vende të reja pune. Me anëtarësim në NATO dhe BE, zvogëlohet papunësia, këta shembuj i kemi të freskët nga anëtarësimi i vendeve të rajonit të cilët kanë hyrë në NATO”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Përfaqësuesit e LSDM-së i bënë thirrje qytetarëve të Kumanovës të japin mbështetje më 30 shtator, sepse Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç NATO-s dhe BE-së. Në kuadër të fushatës “Dil voto për një Maqedoni evropiane”, Lidhja Socialdemokrate ishte edhe në Kriva Pallankë, me apele ndaj banorëve të dalin të votojnë më 30 shtator dhe vetë të vendosin për ardhmërinë e vendit, të vendosin mes dritës dhe errësirës, ardhmërisë dhe izolimit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ