Maqedoni

Gjykatë, zbardhen dëshmi të reja për ngjarjet e 27 prillit

13.09.2018 15:39

Në seancën e sotme gjyqësore për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, dëshmitarët e sotëm kanë shpalosur dëshmi të reja për ngjarjet e asaj mbrëmjeje...

Deputeti i Partisë Demokratike për Lëvizje të Turqve, Enes Ibrahim, tha se mbrëmjen e 27 prillit, mes tjerash, ka marrë dhe kërcënime nga protestuesit të tipit: “Ti je turk, as Erdogani nuk do të të shpëtoje”.
 
Në gjykatë, Ibrahimi tha se para se të hyjë në pres qendrën e Kuvendit, jashtë ka parë të akuzuarin, Munir Pepiq, por pa ushtruar dhunë ndaj dikujt, ndërsa më pas shpjegoi skenën e rrahjes së deputetit, Pavle Bogoevski, në galeri. Ibrahim tha se është goditur në qafë dhe se protestuesit e kanë rrëzuar në tokë dhe e kanë shkelur me këmbë. Ish-deputeti, Petar Atanasov, në gjykatë i kujtoi kërcënimet e shumta të lëshuara nga ana e deputetit, Krsto Mukovski.
 
Disa ditë para se të ndodhte rasti i 27 prillit, Mukovski, sipas deputetit Atanasov, disa herë paska theksuar se “populli shumë shpejt do ta marrë drejtësinë në duart e veta dhe do t’u dënojë të gjithëve”.
 
Ibrahim i tha trupit gjykues se në sallën e gjykimit ndoshta ka persona të akuzuar të cilët realisht nuk e kanë ditur skenarin e vërtetë, për likuidim të deputetëve të shumicës parlamentare. Tha po ashtu se qëllimi i turmës më 27 prill ishte kryeministri Zaev. 
 
Ngjarjet e 27 prillit dhe situatën tejet të tensionuar brenda kuvendit, e përkujtuan edhe deputetët tjerë të ftuar në cilësinë e dëshmitarit, Katerina Kuzmanovska dhe Hari Lokvenec. Për dhunën në Kuvend, më herët dëshmuan Muhamed Zeqiri, Petre Shilegov, Damjan Mançevski, Frosina Remenski, Pavle Bogoevski, Ilija Nikollovski, Nikolla Todorov, Vesel Memedi, Zoran Zaev dhe Oliver Spasovski.
 
Në bankën e të akuzuarve janë ulur gjithsej 33 persona, prej të cilëve 31 akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë në nenin 313 të Kodit Penal, ndërsa dy për ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale. Në gjykatë duhet dhënë dëshmi edhe Zoran Zaevi dhe Oliver Spasovski.
 
REXHEP QAMILI