Maqedoni

PE, Zaev: Marrëveshja e Prespës, biletë për në BE

13.09.2018 16:30

Në fjalimin e tij para eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev....

Në fjalimin e tij para eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se Maqedonia është para një udhëkryqi të madh, por dhe para një momenti historik për të përcaktuar të ardhmen e saj. Sipas marrëveshjes me Greqinë, Maqedonia do të quhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”, por me gjuhë dhe identitet të garantuar, tha Zaev. Ai falënderoi eurodeputetët dhe kryeministrin grek, Alexis Tsipras, për marrëveshjen e arritur për emrin. 
 
“Populli në vendin tonë është në një udhëkryq të madh. Para disa javëve morën një inkurajim të madh nga ju, duke treguar mbështetje për referendumin e 30 shtatorit. Qytetarët e dinë çfarë vendimi të marrin. Do të jemi Republika e Maqedonisë së Veriut, por me gjuhë dhe identitet të pranuar”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
“Alternativa e vetme për Maqedoninë është vetëm perspektiva europiane e saj, andaj si qeveri bëjmë gjithçka që të arrijmë standardet e Evropës”,- ka shtuar kryeministri Zaev para eurodeputetëve. 
 
“E dimë se është mundësi e mirë një herë e përgjithmonë. Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi, pasi është biletë për në BE. Pas pavarësimit, donim të jemi shtet demokratik dhe të integruar në organizatat euroatlantike. Perspektiva për anëtarësim në BE është mobilizim për të gjithë anëtarët politikë. Njerëzit tanë kanë punuar shumë për të arritur qëllimet e tyre. Kemi bërë përparim, por nuk është e mjaftueshme. Ne kemi luftuar me konflikte të brendshme dhe kemi pasur konflikte edhe me fqinjët tanë, por asnjëherë nuk kemi humbur vizionin dhe nuk jemi ndalur së luftuari. E dimë se kemi rrugë të gjatë, por mikpritja juaj na jep fuqi që të vazhdojmë me agjendën tonë reformuese”,- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev tha se Maqedonia ka dhënë kontributin e saj në zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor. Një nga çështjet më të rëndësishme, ose kusht për anëtarësim në NATO dhe BE, ishte kontesti me Greqinë. Ai shtoi se Marrëveshja e Prespës është kompromis për të lëvizur përpara. 
 
Para eurodeputetëve, në Parlamentin Europian, Zaev fjalimin e mbajti në gjuhën e tij amtare.
 
SEDAT SELIMI