Botë

PE: Dritë jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën

13.09.2018 17:24

Parlamenti Evropian ka votuar në favor të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave të Kosovës....

Pro këtij vendimi votuan 420 deputetë, 186 ishin kundër dhe 20 abstenuan. Me këtë edhe zyrtarisht u autorizua raportuesja për Kosovën për vizat, Tanja Fajon, që të hap negociatat me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht me ministrit e punëve të brendshme.
 
Fajon së shpejti pritet të fillojë punën me grupet punuese dhe pastaj ta dorëzojë raportin edhe në Këshillin Evropian, ku edhe do të votohet për fazën finale që do të jetë edhe vendimi final për liberalizimin e vizave. Fajon përmes twiterit ka shkruar se ky votim i hap rrugë fillimit të bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për çështjen e vizave. 
 
Qytetarët e Kosovës, një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë. E gëzuar që kam marrë dritën jeshile nga Parlamenti Evropian, me një shumicë të madhe votash për negociatat me Këshillin Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Lufta vazhdon me qeveritë e BE-së, nuk do të ndalemi derisa të arrijmë!”,- theksoi raportuesja Fajon.
 
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave.
 
“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian”,- theksoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
 
“Sot të gjithë ndjehemi krenarë që jemi qytetarë të Kosovës. Institucioni më i lartë në BE ka marrë vendim pozitiv për qytetarët. Liberalizimi është një hap i merituar dhe dua t’i falënderoj ata që kanë votuar pro lëvizjes së lirë. Ne jemi perëndimorë dhe evropianë”,- theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
 
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilët nuk kanë viza për të lëvizur lirisht në vendet anëtare të BE-së.
 
GYLTENE SINANI