Maqedoni
Lëvizja Besa fillon zyrtarisht fushatën, Gashi: Koha është për histori të re
13.09.2018 18:29
Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashit, sot ka shpalosur edhe zyrtarisht të bërit fushatë për referendumin....

Kryetari i BESËS, Afrim Gashi, tha se fushata e cila ka filluar tash e disa ditë, nuk është vetëm një fushatë e rëndomtë, por sukses dhe përkushtim programor dhe politik i këtij subjekti politik.
"Pas shumë viteve pritjeje e bisedime, mund të konstatojmë se më në fund pengesa për integrimin euro-atlantik tashmë po hiqet dhe ne jemi gjenerata që mund ta vulosim këtë sukses. Më në fund, me Marrëveshjen e Prespës, ne e kemi hapur derën dhe e kemi prekur me dorë integrimin euro-atlantik. Duke gjykuar se secili brez i ka meritat dhe përgjegjësitë e tij, mendojmë se tash jemi para momentit kur me dorën tonë duhet ta përcaktojmë të ardhmen tonë. Koha është për një histori të re. Nëse të tjerët në këtë shtet kanë një arsye që të dalin në këtë referendum, ne shqiptarët kemi dhjetëra arsye që t’i themi PO pyetjes së këtij referendumi. Diskriminimi, padrejtësitë dhe varfërimi ekonomik na kanë lënë pasoja që assesi të riparohen", thuhet në njoftimin e Besës.
Suksesi në referendum nënkupton dhe sukses për këtë gjeneratë politikanësh të cilët ia arritën ta heqin pengesën e vetme e cila pamundësoi kaq vite me radhë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Gashi tha se të gjithë kanë arsye që të jenë pro referendumit, por shqiptarët kanë arsye më tepër që më 30 shtator të dalin dhe me votën e tyre të përcaktojnë ardhmërinë pro europiane të vendit.
