Maqedoni
Mitchell: Mbështesim marrëveshjen e Prespës
13.09.2018 18:34
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE....

Ndihmëssekretari amerikan i mbrojtjes, Ues Miçel, i cili po qëndron në Shkup pas takimit me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se mbështesin marrëveshjen e Prespës, të cilën e shohin si një mundësi për t’u anëtarësuar Maqedonia në NATO.
“E shpreha mbështetjen amerikane për Marrëveshjen e Prespës. Në atë shohim një mundësi për t’i thënë mirëseardhje vendit të 30 anëtare të NATO-s. Ishin të nevojshme shumë punë dhe kompromise nga të dyja anët për 27 vite, për të arritur në këtë moment. Kemi bisedime të mira për hapin e ardhshëm, në fund maqedonasit do ta sjellin vendimin, por Amerika gjithashtu ka kontribut në Ballkanin Perëndimor, të ketë stabilitet dhe prosperitet në këtë rajon të rëndësishëm”,- theksoi ndihmëssekretari amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike, Wes Mitchell.
Nga MPJ pas takimit bënë të ditur se në fokusin e bisedimeve Dimotrov-Miçel ishin perspektivat euroatlantike të vendit, si dhe gjendjet aktuale politike në vend dhe rajon. Dimitrov, siç kumtoi MPJ, e potencoi rëndësinë e mbështetjes së mëtutjeshme të SHBA-së në integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe bashkëpunimit bazuar në partneritetin strategjik.
“Anëtarësimi ynë i merituar në NATO, dukshëm do të kontribuojë në ndërtimin e Maqedonisë prosperuese dhe të sigurt, që do të jetë e rëndësishme edhe për të gjithë rajonin”,- citohet të ketë thënë Dimitrov.
Miçel ka takuar edhe liderë të partive politike. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se ShBA mbetet partner i sigurt dhe i përhershëm, duke treguar kujdes të veçantë mbi proceset që zhvillohen në vend.
“Kishim një takim të shkëlqyer me zëvendës-sekretarin e ShBA-ve, me ç’rast tregoi një kujdes shumë të madh mbi zhvillimet në Maqedoni dhe rajon, një kujdes të madh mbi organizimin e referendumit, referendum të cilin e cilësoi si një moment që nuk përsëritet në të ardhmen, sepse është momenti historik që vendoset për ardhmërinë e RM-së”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndihmës-sekretari amerikan i mbrojtjes, Ues Miçel, ka takuar edhe kreun e VMRO-DPMNE-së. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, ai ka realizuar takime edhe me kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin, me Grupet e deputeteve në Kuvend, ndërsa pritet takimi edhe me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev.
NAIM RAMADANI
