Super goli i Xhemailit mposht Barcelonën. Humb edhe Bajerni, ndërsa fiton Milani
Barcelona ka pësuar humbje prej 1-0 nga Napoli në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Gjeneve....

Barcelona ka pësuar humbje prej 1-0 nga Napoli në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Gjeneve. Heroi i takimit ishte mesfushori shqiptar, Blerim Xhemaili, i cili realizoi golin e vetëm në këtë sfidë.
Futbollisti që mbron ngjyrat e Zvicrës realizoi nga distanca, ndërsa për këtë i ndihmoi edhe portieri Claudio Bravo, i cili nuk intervenoi si duhej.
Goli i vetëm i shënuar nga Napoli në minutën e 80-të bëri diferencën në këtë sfidë, e cila ishte debutuese për portierin e Barcelonës, që nuk dha shenja pozitive për të ardhmen, nëse bazohemi në këtë gabim fatal.
Edhe një skuadër tjetër e madhe, Bajerni i Mynihut, nuk arriti ti shmanget disfatës. Të përzgjedhurit e Pep Guardiollës, në mesin e tyre edhe Xherdan Shaqiri, i cili luajti si titullar deri në minutën e 80, humbën me 2-1 nga ekipi i përbërë nga yjet e kampionatit amerikan.
Gjermanët, avancuan në pjesën e parë të sfidës, me një super gol të transferimit të ri, Robert Levandovski, por në të dytën, nuk arritën të ndalin golat e Rajt Filipsit dhe Donovanit, dhe humbën me 2-1.
Nga ana tjetër, pas tre humbjesh radhazi në Guinness Cup, Milani ka gjetur fitoren pasi mundi me 3-0 skuadrën e Chivas Guadalajara, në një miqësore të zhvilluar në Houston (SHBA).
Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 20 me anë të Niangut, ndërsa dyfishimi i rezultatit erdhi në minutën e 37 me anë të një goditjeje dënimi perfekte të Mario Balotelli. Në minutën e 27 të pjesës së dytë Pazzini shënoi edhe golin e tretë.
