Kulturë

Jeta kulturore në Kërçovë, Ademi: Investime për të rritur vlerat kulturore, Omer Kaleshi nderohet me çmimin “Nënë Tereza”

15.09.2018 14:21

Ministri i Kulturës Asaf Ademi vizitoi Qendrën për Kulturë në Kërçovë dhe bibliotekën e këtij qyteti...

Gjatë takimit me me drejtorin e parë shqiptar të këtij institucioni Mazllam Osmani, ministri Ademi premtoi përmirësimin e kushteve hapësinore dhe rritjen e rrogave përmes marrëveshjeve kolektive.

Drejtori i Qendrës për Kulturë në Kërçovë Mazllam Osmani, kuadri i parë shqiptarë që udhëheq me këtë institucion kulturor, e njoftoi ministrin Asaf Ademi me kushtet dhe veprimtarinë e Qendrës për Kulturë në Kërçovë, për pagat e vogla të punëtorëve dhe përfaqësimin diskriminues të shqiptarëve në Pallatin e kulturës, ku nga 24 të punësuar, vetëm një është shqiptar.

Ministri Ademi potencoi se do të angazhohet për rritjen e numrit të kuadrove shqiptare dhe investime në përmirësimin e kushteve për veprimtari të sukseshme në promovimin e vlerave kulturore të këtij rajoni.

Më pas ministri Asaf Ademi mori pjesë edhe në ekspozitën e piktorit me famë botërore Omer Kaleshi, i cili u nderua me çmimin “Nënë Tereza” për vitin 2018.

Omer Kaleshi është një figurë e shquar e artit botëror por me origjinë nga Kërçova, me të cilin sot mburren të gjithë shqiptarët.

SHABAN DALIPI