Maqedoni

Deputetët me mesazh për qytetarët: “Për” të ardhmen e atyre që s’ kanë të drejtë vote

15.09.2018 16:50

Deputetët me mesazh për qytetarët. Referendumi është mjeti më i fuqishëm demokratik që qytetari ka në dispozicion...

Deputetët me mesazh për qytetarët. Referendumi është mjeti më i fuqishëm demokratik që qytetari ka në dispozicion , për të bërë të qartë mendimin e tij, prandaj deputetët ftuan qytetarët që më 30 shtator të dalin e të votojnë masovikisht.

Deputetët apeluan se me daljen e tyre në referendum, qytetarët pa marrë parasysh nacionalitetin, përkatësinë partiake apo fetare , kanë shansin të bëhen pjesë e historisë.

“Kemi shansin historik që me 30 shtator secili nga ne të ndajë 30 minuta për të votuar dhe Maqedonia të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s. Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më afër realizimit të idealeve të shumë gjeneratave para nesh. Neve na përket shansi historik që të jemi pjesë e realizimit të këtij ideali”, u shpreh deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

“Zëri ynë në referendum do të jetë zëri final. Kësaj radhe vendimi është i yni që të vendosim se në cilin drejtim do të shkon Maqedonia, në drejtimin e prosperitetit apo të izolimit. Ne po sjellim vendim edhe për ata që nuk kanë të drejtë vote, por pikërisaht ata do të na vlerësojnë për ktë vendim që marrim tani, dhe para tyre duhet të japim llogari për vendimin tonë sot. Kemi detyrim që të lëmë një shtet që u ofron ardhmëri. Këtë shans nuk duhet ta humbasim, askush nuk mund të zgjedh rrugën tonë përveç ne vetë”, theksoi deputetja e LSDM-së, Ivana Tufegxhiq.

Deputetët ftuan sidomos të rinjtë që të mos përsërisin gabimin e Britanisë së Madhe, kur ata që nuk dolën të votojnë përcaktuan të tjerët të marin në dorë ardhmësinë e tyre me vendimin për BREXIT, sepse tani që pikërisht të rinjtë kuptuan që më të moshuarit sollën vendimin e gabuar për të ardhmen e tyre, për ta u bë vonë.

MIGENA GORENCA