Projekti “mundësi për të gjithë”: Rikualifikim për njerëzit e papunë
Përderisa të papunët ankohen që s’ka punë dhe punëdhënësit ankohen që s’ka punëtorë të kualifikuar...

Përderisa të papunët ankohen që s’ka punë dhe punëdhënësit ankohen që s’ka punëtorë të kualifikuar, niveli i papunësisë në Maqedoni vazhdon të mbetet i lartë.
Shkaktar kryesor për paraqitjen e këtij hendeku shihet sistemi arsimor që prodhon kuadër për të cilin s’ka nevojë tregu por edhe mentaliteti te të rinjtë të cilë parapëlqejnë punësimin në administratë edhepse aty pagat mund të jenë më të ulëta se në sektorin privat.
Për të zgjidhur këtë problem, qeveria paralajmëroi programin “Mundësi për të gjithë” të cilin e hodhi në diskutim publik.
“Mbështetur në analiza dhe vlerësime, të gjithë jemi të vetëdijshëm, sa sa kuadro mungojnë në biznese të caktuara dhe krahas kësaj jemi të vetëdijshëm se sa është përqindja e papunësisë. Kjo na obligon si qeveri të hapim diskutim publik për këtë cështje. Plani operativ për punësim këtë vit siguroi më shumë mjete, ose mbi 900 milionë denarë”, u shpreh ministrja për punë dhe politikë sociale Milla Carovska.
Sipas zëv/kryeministrit për çështje ekonomike Koço Angjushev, projekti parasheh kryqëzimin e listave që komunat do të hartojnë me njerëzit e papunë me listat që do të hartojë biznesi për kuadrot që ka nevojë dhe më pas shteti do të financojë rikualifikimin e kuadrove.
“Në nivel komunash do t’i krahasojmë këto lista dhe të gjithë të papunëve do t’u ofrojmë rikualifikim në një periudhë prej gjashtë muaj ose më shumë. Shteti me buxhetin e tij dhe institucionet do të ndihmojë që këto njerëz të rikualifikohen, një pjesë në institucione arsimore dhe një pjesë në fabrika ku do të duhet të punojnë. Kjo në një farë mënyre është partneritet publiko privat”, theksoi zëv/kryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev.
Për UNDP-në përqindja e madhe e papunësisë dhe njëkohësisht kërkesa e madhe e biznesit për kuadro paraqet paradoks.
“Ka një paradoks ekstrem dhe situatë është shumë urgjente. Dhe kjo është çështja që shtrojmë, se si mund të lidhim këto dy anë, njerëzit që kërkojnë punë dhe sektorin privat i cili kërkon shkathtësi specifike që nuk i gjen. Gjatë bisedave të UNDP me kryetarë komunash dhe përfaqësues të administratës publike kemi hasur në paradoksin që të rinjtë përkundër pagave më të larta parapëlqejnë administratën publike për shkak të iluzionit të mbrojtjes dhe sigurisë”, u shpreh përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.
Përfaqësuesit e Odave ekonomike vlerësojnë se Agjencia për Punësim duhet të zhbëhet ose të reformohet pasi ka humbur qëllimin.
“E thashë në një kuptim simbolik, që ajo agjenci të transformohet dhe të punojë atë që duhet të punojë ndërsa sektori privat të jetë ai që do të absorbojë tepricën e fuqisë punëtoer në treg”, theksoi Branko Azezki nga Oda Ekonomike.
Në diskutim pubkik është edhe Ligji për praktikë, i cili parasheh që kuadrove të reja t’u sigurojë mundësi për pratikë ndërsa kompanive kuadër cilësor. Të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare që do të bëjnë praktikën gjashtë mujore do të paguhen, në tre muajt e parë do të marrin nga pesë mijë denarë ndërsa në tre muajt e tjerë do marrin rrogë minimale.
SHPËTIM NUREDINI
