Maqedoni
Kamenos: Nëse marrëveshja kalon, ne lëmë qeverinë; Canakopulos: Marrëveshja kalon në Kuvend, kemi numrat
17.09.2018 15:49
Partneri i koalicionit në qeverinë e Ciprasit, Panos Kamenos në një intervistë për televizionin grek “Antena”...

Partneri i koalicionit në qeverinë e Ciprasit, Panos Kamenos në një intervistë për televizionin grek “Antena” ka ripërsëritur qëndrimin sa i përket Marrëveshjes së Prespës. Ai së bashku me Grekët e Pavarur do të tërheqin të gjithë ministrat e saj si dhe besimin ndaj Qeverisë nëse Marrëveshja vjen për ratifikim para deputetëve në parlamentin grek.
“Ne nuk do të jemi pjesë e qeverisë e cila do ta sjellë në Parlament një marrëveshje të tillë për ta votuar. Kjo do të thotë se do të tërheqim besimin ndaj Qeverisë , dhe para se Marrëveshja të arrijë për tu votuar do të duhet që parti të tjera të obligohen para presidentit grek se do të hyjnë në qeveri si partnerë të rinj të koalicionit”, tha Panos Kamenos, kryetar i partisë “Grekët e Pavarur”.
Por zëdhënësi i Qeverisë, Dimitris Canakopulos thotë se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet me shumicë votash në Kuvendin grek, madje sapo Shkupi të mbarojë me referendumin dhe ndryshimet kushtetuese.
"Jam i bindur se në këtë moment ekzistojnë korelacione politike në Kuvendin grek për ratifikimin e marrëveshjes dhe kjo do të tregohet kur të vihet në rend dite dhe kur të votohet", tha Dimitris Canakopulos, zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.
Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias përkujton Kamenosin se gjuhën maqedonase e njohu qeveria e mëparshme kgreke dhe jo qeveria aktuale, por përkujton se marrëveshja i jep fund një kontesti që kontribuon në paqen e të gjithë rajonit.
GYLTENE SINANI
