Maqedoni

BDI: 30 shtatori, çelësi që hap dyert e ardhmërisë

18.09.2018 11:11

BDI mbajti mbrëmë takime me banorët e Bërvenicës dhe Bogovinës....

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se 30 shtatori është momenti historik ku të gjithë bashkë, shqiptarë dhe maqedonas, do të bëhen bashkë për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
 
“Nuk dua të krijoj një iluzion se kur do të ndodhë anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Është një proces që mund të marrë kohë, por nuk është proces pafund. Çelësi është më 30 shtator, pasi pas kësaj date hapen dyert e NATO-s, ku pas 15 muajsh do të jemi anëtare fuqiplotë dhe për këtë u siguroj. Më 30 shtator hapen dyert edhe të Bashkimit Europian dhe qershorin e ardhshëm fillojnë negociatat për anëtarësim”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, u bëri gjithashtu thirrje edhe mërgimtarëve që të kontribuojnë për ardhmërinë europiane të vendlindjes së tyre. Ai përkujtoi se referendumi i suksesshëm është fillimi edhe i zgjidhjes së problemeve të tjera.
 
“Kemi nevojë të konsolidohemi mirë, sepse ky referendum, ky sukses i këtij referendumi, na jep një mundësi më shumë të zgjidhim më mirë problemet, edhe për sigurinë e të gjithëve, por edhe për planifikimet për të ardhmen tonë të përbashkët”,- theksoi zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Hazbi Lika.
 
Edhe pjesëmarrësit e tjerë në tubim bënë thirrje për votë të fuqishme më 30 shtator, për të ardhmen e fëmijëve tanë.
 
VISAR SADIKI