Maqedoni

Xhaferi: Përcaktimi ynë nga pavarësia, NATO dhe BE

18.09.2018 15:26

Anëtarësimi i vendit në NATO ofron siguri dhe stabilitet, pohojnë autoritetet e larta në legjislativ dhe ekzekutiv....

Kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, përkujton se të gjitha qeveritë e vendit kanë punuar për anëtarësim në NATO dhe BE, pengesë ka qenë vetëm kontesti rreth emrit, që u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës. Ai përkujtoi se që nga pavarësia, qëllim strategjik i çdo qeverie dhe i qytetarëve ka qenë integrimi euroatlantik i vendit. 
 
“Nuk duhej t’u rikujtoj se para 27 viteve, kur në referendum qytetarët u përcaktuan për Republikën autonome të Maqedonisë, deputetët e përbërjes së parë, atë përcaktim e shndërruan në kornizë kushtetuese juridike dhe përcaktuan qëllimet strategjike për vendin tonë që janë anëtarësimi në NATO dhe BE”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Në aspektin ushtarak, vendi është i gatshëm të jetë pjesë e Aleancës. Në aspektin ekonomik, anëtarësimi në Aleancë do të thotë më shumë siguri për bizneset, thotë ministrja e mbrojtjes Shekerinska. 
 
“Nëse e shohim Bullgarinë, para dhe pas anëtarësimit në NATO, do të shohim se të gjitha parametrat e zhvillimit ekonomik kanë shënuar rritje. Investimet e huaja atje, para anëtarësimit, arrinin në 7%, ndërsa tani janë rritur në  19,7%.  Edhe në Mal të Zi, investimet e huaja vetëm nga shtetet anëtare të NATO-s janë rritur për afro 3 herë”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Ambasadorja kroate, Daniella Barishiç, sqaron benefitet që qytetarët e Kroacisë kanë pasur me anëtarësimin në NATO, edhe pse referendumin për NATO në atë kohë e mbështetën vetëm 40% e votuesve kroatë.
 
“Nëse tani pyet qytetarët se në cilën kohë jetonin më mirë, do të dëgjoni 40% të tyre të thonë se tani është më mirë, ndërsa një pjesë tjetër e madhe thonë se nuk është më keq me anëtarësimin tonë në NATO, dhe kjo është një e arritur e madhe. Tani ju gjendeni para një sfide të tillë, vetë qytetarët do të duhet të dalin dhe të shprehen për ardhmërinë e vendit të tyre dhe askush nuk do të mund t’u imponojë zgjidhje”,- theksoi ambasadorja e Kroacisë në Maqedoni, Daniela Barishiç.
 
Deklaratat u dhanë në debatin informues për të rinjtë që janë pjesë e shkollës për mbrojtje dhe siguri, të themeluar në kuadër të Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë. 
   
FITIM KRYEZIU