Ekonomi

Strategji të re për energjetikë, Britania ofron grant prej 1 milion dollarëve

18.09.2018 17:16

Memorandum për hartimin e një strategjie të re në energjetikë u nënshkrua sot mes ministrit britanik për Evropë dhe Amerikë, Ser Alan Dankan...

Memorandum për hartimin e një strategjie të re në energjetikë u nënshkrua sot mes ministrit britanik për Evropë dhe Amerikë, Ser Alan Dankan, dhe zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Vlera e grantit, i cili do të ndihmojë në përpunimin e kësaj strategjie, do të kapë vlerën prej afër 1 milion dollarëve, theksoi Dankan, duke shtuar se ndjehet i nderuar që pikërisht Britania po luan një rol të këtillë në zhvillimin e sektorit të energjetikës.

"Është kënaqësi për mua të jem këtu dhe që po nënshkruajmë këtë memorandum në fushën e sektorit të energjisë. Jam i nderuar që Mbretëria e Bashkuar po luan një rol të tillë në sistemin energjetik të Maqedonisë, duke pasur parasysh edhe nevojën që ka Maqedonia për një energji të sigurt",- tha ministri britanik për Europë dhe Amerikë, Ser Alan Dankan.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Angjushev, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi përben një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh përvojën që ka Dankan në këtë fushë.

“Strategjia për energjetikë del si obligim nga Ligji për energjetikë, të cilin Qeveria e miratoi në maj të këtij viti. Ky memorandum i nënshkruar do të tregojë se si Maqedonia do të zhvillohet në energjetikë në 30 vitet e ardhshme",- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Anjgushev.

Edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, falënderoi ministrin Dankan për mbështetjen në sektorin e energjisë, kurse shtoi se janë të gatshëm për bashkëpunim në mënyrë që Maqedonia të ketë një strategji më të mirë në sektorin e energjetikës.

ZEKIRIJA MEXHITI