Maqedoni

Han në Shkup: Informohu dhe dil voto. Zaev: Rusia nuk ka ndikim në referendum

18.09.2018 17:31

Marrëveshja me Greqinë ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi zgjidh kontestin shumëvjeçar

Marrëveshja me Greqinë ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi zgjidh kontestin shumëvjeçar me pasoja për vendin dhe garanton ardhmërinë euroatlantike të vendit. Eurokomisari, Johanes Han, ftoi qytetarët që të informohen mirë për përmbajtjen e marrëveshjes, të marrin vendim dhe të dalin në referendumin historik, i cili përcakton perspektivën e vendit dhe qytetarëve të saj.
 
“Nuk më pëlqen shkurtesa FYROM, do të kisha dashur në të ardhmen t’u drejtohem me Republika e Maqedonisë së Veriut”,- tha Han, duke shtuar se përveç ndryshimeve ligjore, integrimi euroatlantik sjell të mira në të gjitha sferat e jetës, të cilat do t’i ndjejnë qytetarët.       
 
“Prandaj, apeli im për qytetarët është i thjeshtë. Informohu dhe shpreh të drejtën demokratike për të votuar, që të dëgjohet edhe zëri yt. Është vendi juaj, e ardhmja juaj dhe është zgjidhja juaj e lirë. U drejtohem posaçërisht gjeneratës së re. Çdo votë numërohet, prandaj shfrytëzo mundësinë, shfrytëzo të drejtën për votë, dil në votim dhe merr vendimin tënd. Por, para së gjithash shfrytëzo mundësinë”,- tha komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han.
 
Han ftoi opozitën që të mos e politizojë situatën, pasi bëhet fjalë për referendum ku duhet të vendoset për të ardhmen e vendit. “Partitë politike duhet të përmbahen nga keqpërdorimi i kësaj për qëllime partiake. Në moment të këtillë krucial, nuk është koha të luhen lojëra politike",- tha eurokomisari Han.
 
Në ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, përsëriti qëndrimin se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit euroatlantik. Ai mohoi mundësinë që Rusia të ketë ndikim në procesin e Referendumit, edhe pse deklaron qartë kundërshtimin për anëtarësimin e vendit në NATO.
 
“Faktet flasin se ne nuk kemi dëshmi dhe argumentet se Rusia ka ndonjë ndikim këtu në pjesën e ndikimit në referendumit. Është e vërtetë  që Rusia nuk është e lumtur me zgjerimin e NATO-s në Maqedoni. Ajo nuk ka asgjë kundër zgjerimit të BE-së në gjithë Ballkanin perëndimor, por në përgjithësi është kundër zgjerimit të NATO-s në Maqedoni dhe këtë e komenton publikisht. Unë edhe një herë do të them se nuk ka alternativë për qytetarët e RM-së për integrimin e plotë në NATO dhe në BE. Duam të ndërtojmë miqësi me të gjitha vendet, përfshi edhe Federatën Ruse, kemi shumë për të avancuar në bashkëpunimin tonë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Javëve të fundit, Shkupi është bërë destinacion i zyrtarëve më të lartë të NATO-s, BE-së dhe ShBA-ve. Kjo, sipas eurokomisarit Han, është dëshmi se sa vlerësohet Marrëveshja me Greqinë, e cila paraqet dëshmi se edhe konfliktet e ngrira mund të zgjidhen nëse ka vullnet të mirë, lidership dhe vendosmëri.
 
Han paralajmëroi mbajtjen e një takimi të rëndësishëm në Bruksel ku do të diskutohet fillimi i skriningut gjithëpërfshirës, para punës parapërgatitore për fillimin e negociatave. 
 
SHPËTIM NUREDINI