Maqedoni

Gazsjellësi në Vodno, ambientalistët kundër, qeveria mbron projektin

18.09.2018 18:35

Ambientalistët vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin e gazsjellësit në drejtim të Pollogut, që duhet të kalojë përmes malit Vodno...

Nga iniciativa "E duam Vodnon" propozojnë ndryshimin e trasesë, pasi projekti aktual, sipas tyre, ka ndikim negativ për ambientin.

"Problemi ynë është në ndikimin negativ që ky projekt ka në ambientin jetësor, pak rëndësi ka sasia e drunjve që do të priten. Problemi është që priten drunjtë në një zonë të mbrojtur. Sipas nesh, fillimi i ndërtimit të rrjetit të gazsjellësit është i gabuar",- theksoi Tatjana Stojanovska nga OJQ “E dua Vodnon”.

Por, nga qeveria bëjnë të ditur se tanimë është reviduar traseja, e me çka është zvogëluar dyfish numri i drunjve që do të priten.

“Ta rrisim në mënyrë të dobishme shfrytëzimin e zonave të mbrojtura, prandaj aplikojmë kategorizimin, zonimin dhe menaxhimin me zonat e mbrojtura. Siç thonë në BE, të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i zonave të mbrojtura”,- deklaroi zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.

“Për herë të parë në historinë e Shkupit po debatohet për Vodnon. E ndërtuan teleferikun nuk na pyetën, e ndërtuan kryqin në Vodno nuk na pyetën, e dëmtuan pjesën jugore të Vodnos me qytetin e diellit dhe nuk na pyetën”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Projekti i gazifikimit është projekti më ekologjik dhe më efikas se çdo projekt tjetër që është ndërtuar në vend”,- u shpreh drejtori i resurseve energjetike, Bajram Rexhepi.

Ky ishte debati i dytë publik rreth rrjetit të gazsjellësit, nga i cili do të përfitonin banorët e rajonit të Pollogut, por edhe dy komunat e Shkupit, ajo e Sarajit dhe Sopishtës.

GYLTENE SINANI