Maqedoni

“E Majta” dhe KBM: Gjykata Kushtetuese varrosi drejtësinë; Qeveria: nuk përzihemi në vendimin e Kushtetueses; Ahmeti: nuk ka lojë në situata të tilla

19.09.2018 18:19

Parashtruesit e nismës për kontestim të vendimit për shpalljen e referendumit...

Parashtruesit e nismës për kontestim të vendimit për shpalljen e referendumit, e cilësuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese si varrosje të drejtësisë.

“Kjo është një ditë e turpshme për sundimin e së drejtës në Republikën e Maqedonisë. Sot u varros drejtësia përmes politikës e jo me vendimin e gjykatësve”,- tha Dimitar Apasiev nga “E Majta”.

“Ishte i qartë presioni që po ushtrohet ndaj gjykatës, megjithatë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ne është i papranueshëm”,- u shpreh Todor Petrov nga Kongresi Botëror Maqedonas.

Nga qeveria nuk deshën të komentojnë vendimin e Kushtetueses për refuzimin e nismës për kontestimin e referendumit.

“Qeveria nuk do t’i interpretojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Atë që ne e kishim për të thënë në lidhje me referendumin, e kemi thënë disa herë. Vlerësojmë se kjo është e drejta më e lartë demokratike e një qytetari në një demokraci të lirë, në punën e Kushtetueses ne nuk përzihemi”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Edhe kreu i BDI-së, Ahmeti, nuk deshi të komentojë vendimin, por tha se në momente të tilla duhet bërë kujdes.

“Nuk duhet të luhet e të rrezikohen në këto situata. Vendimin për referendum e ka marrë organi më i lartë legjislativ, që zgjedh të gjithë anëtarët e organeve të tjera”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nismëtarët e vlerësimit të kushtetueshmërisë thonë se vendimi i kushtetueses vetëm përforcon përpjekjen e tyre për bojkot të referendumit.

FARIJE DAUTI BAKIJU