Fazliu: të shfrytëzohen fondet evropiane. Bertolini dhe Sakahijan: mbështetje bashkëpunimit Pushteti Lokal - OJQ
BE ka vënë në dispozicion 10 milionë euro për përmirësimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit mes sektorit civil dhe administratës lokale në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Projekti tanimë me sukses po implementohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, thotë ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu.
“Është një projekt i financuar nga BE, në një shumë totale prej 10 milionë eurosh. Fitues të këtij projekti do të jenë pothuajse rreth 40.000 qytetarë nga gjithsej gjashtë shtete të Ballkanit, apo rreth 50 komuna të Ballkanit”,- tha ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu.
Përfaqësuesit europianë theksuan se demokracia lokale fillon duke siguruar fonde që do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime për vetë qytetarët, kurse organizatat e shoqërisë civile duhet të dinë se si të marrin pjesë dhe si ta përdorin këtë proces.
“Në Ballkanin Perëndimor ka qeverisje lokale të cilat përballen me probleme të lidhura me mungesën e resurseve njerëzore, mungesën e resurseve financiare, megjithatë edhe me pjesëmarrjen e pakët të sektorin civil. Thelbi i këtij projekti është alokimi më i mirë dhe më transparent i fondeve nga autoritetet lokale në organizatat e shoqërisë civile, por gjithashtu është me rëndësi të madhe për të rritur kapacitetet e punonjësve në vetëqeverisjen lokale”,- deklaroi udhëheqësi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Nikolla Bertolini.
“Elementi kryesor i këtij programi është të përforcohet dhe të thellohet bashkëpunimi mes qeverisjeve lokale dhe sektorit civil, ndërsa ne vlerësojmë se ajo është një element kyç në arritjen e demokracisë së participuar”,- u shpreh Narine Sakahijan nga UNDP.
Bazuar në përvojën e UNDP-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, është konstatuar se programi mund të bëjë dallimin dhe mund të fillojë një proces të bashkëpunimit më të mirë.
ERSAN PAJAZITI
