Maqedoni

Konferencën e liderëve të rinj: të rinjtë kërkojnë kyçje në ndërtimin e politikave; Xhaferi: Maqedonia ndjek politikat e BE-së për të rinjtë

20.09.2018 17:23

Bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe forumeve rinore, kyçja e të rinjve në ndërtimin e politikave shtetërore...

Bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe forumeve rinore, kyçja e të rinjve në ndërtimin e politikave shtetërore dhe shkëmbimi i përvojave mes të rinjve nga Ballkani Perëndimor me vendet e BE-së, janë vetëm disa nga porositë e Forumeve Rinore nga Maqedonia dhe Unioni Europian në Konferencën e Liderëve të Rinj me temë “Tejkalimi i zbrazëtirës ndërmjet të rinjve dhe politikës”.

Raportet pozitive për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, për Maqedoninë dhe Shqipërinë janë dëshmi se për të rinjtë e rajonit ka perspektivë, theksuan përfaqësuesit e organizatave rinore.

“Fakti që sot ne qëndrojmë të ulur në një tavolinë me ata të cilët i sjellin politikat, tregon se ne kemi marrë hisen tonë në politikat vendimmarrëse. Prandaj unë shpresoj se pas referendumit, ne si të rinj të Maqedonisë një ditë do të kemi mundësi të ulemi me të rinjtë e BE-së dhe atje të sjellim politika për Europën tonë të përbashkët”,- deklaroi këshilltari nacional i të rinjve të Maqedoni, Bllazhen Maleski.

“Këta të rinj kanë fuqinë në duart e tyre, që politikat tuaja shtetërore t’i bëjnë funksionale në terren, por gjithashtu mund t’i bëjnë edhe të pasuksesshme nëse ju si institucione nuk i përfshini këta të rinj në politikat vendimmarrëse. Ju jeni vendi i vetëm nga gjithë ish-Jugosllavia që arriti t’i integrojë të gjitha pakicat dhe për këtë ju duhet të jeni krenarë dhe kjo duhet të shërbejnë si shembull”,- tha kryetari i Forumit Europian i të rinjve, Luis Alvardo Martinez.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, potencoi se të gjithë pohojnë se bota u mbetet të rinjve, por parashtrohet pyetja se sa më të moshuarit janë në gjendje t’u krijojnë atyre kushte.

“Punësimi mbetet pika më e dhimbshme tek të rinjtë dhe kjo është tema që ka implikime shumëdimensionale si në aspektin ekonomik, social, por edhe demografik, prandaj Maqedonia është duke i ndjekur përvojat e Parlamentit Europian, për të krijuar kushte sa më shumë për të rinjtë”,- u shpreh kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.

“Nga kjo konferencë do të dalim me një dokument, që na bën më obligues edhe juve si këshilla rinorë, por edhe neve si pjesë të Parlamentit që politikat tona të jenë të përbashkëta dhe të gjitha iniciativat të rrjedhin nga vetë ju, ndërsa ne t’i implementojmë, sepse në fund të fundit, bota dhe e ardhmja mbetet e juaja”,- theksoi deputetja, Ivana Tufekgjiq.

Konferenca e liderëve të rinj vazhdon edhe të premten, kur pritet të flasë Fabio Masimo Kostaldo - zëvendëskryetar i Parlamentit Europian, si dhe eurodeputetët, Eduard Kukan, Alojze Peterle dhe Knaut Flekenshtajn.

FITIM KRYEZIU