Maqedoni

Komiteti i përzier parlamentar Maqedoni-BE, Peterle: Maqedonia të përshpejtojë zbatimin e reformave; Papadimuilis: Parlamenti grek do ta ratifikojë marrëveshjen

20.09.2018 17:35

Maqedonia shënon progres të dukshëm në procesin eurointegrues dhe është përgatitur mirë për bisedimet paraqasëse...

Maqedonia shënon progres të dukshëm në procesin eurointegrues dhe është përgatitur mirë për bisedimet paraqasëse, ndërkaq kapitujt 23 dhe 24 duhet të jenë në qendër të fazës së ardhshme në procesin e aderimit.

Komiteti i përzier parlamentar Maqedoni-BE përshëndet përpjekjet e Qeverisë për zbatimin e reformave dhe avancimin e integrimit në strukturat euroatlantike.

Bashkëkryesuesi me Komitetin e përzier parlamentar, eurodeputeti nga Sllovenia, Alojz Peterle, tha se është me rëndësi që Maqedonia të përshpejtojë procesin e zbatimit të reformave, të nevojshme për anëtarësim.

“Maqedonia po afrohet drejt një momenti të rëndësishëm pas një varg zhvillimesh politike. Pas shumë viteve të kaluara në dhomën e pritjes pa avancim, që ishte frustrues jo vetëm për vendin tuaj, tani ka zhvillime të reja që na mundësojnë lëvizje më të shpejtë në drejtim të BE-së dhe NATO-s”,- deklaroi eurodeputeti nga Sllovenia, Alojz Peterle.

Komiteti i përzier parlamentar, përshëndet ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Kuvend dhe u bën thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë rezultatin e referendumit.

Edhe eurodeputetët do të respektojnë vullnetin e qytetarëve, si aktin më të lartë demokratik, tha nënkryetari i Parlamentit Evropian dhe shef i eurogrupit të Syrizës, Dimitris Papadimuilis. Eurodeputeti grek madje hoqi dyshimet se Marrëveshja e Prespës mund të mos ratifikohet në Parlamentin e Athinës.

“Jam i sigurt se do të ketë shumicë në Parlamentin grek që do të votojë për Marrëveshjen e Prespës. Nuk kam kurrfarë dyshimesh, jam i sigurt, nëse shteti juaj e ratifikon Marrëveshjen e Prespës dhe për atë i bën të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese siç u dakorduam, atëherë Parlamenti grek do ta ratifikojë marrëveshjen",- u shpreh nënkryetari i Parlamentit Evropian, Dimitris Papadimulis.

Sipas Papadimulius, Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në Parlamentin grek, në mars të vitit të ardhshëm.

Ndryshe, Komiteti i përzier parlamentar Maqedoni-BE në mbledhjen e tij të 15-të, ndër të tjera, u bëri thirrje autoriteteve që të vazhdojnë zbatimin e strategjisë për reforma në gjyqësi; Prokuroria Publike Speciale të vazhdojë misionin e saj ndërsa, Kuvendi të mbikëqyr në vazhdimësi punë e DSK-së.

Komiteti u bën thirrje autoriteteve që të vazhdojnë reformat në radiopërhapësin publik. Njëkohësisht, thekson rëndësinë e sektorit civil në fushatën për referendumin për Marrëveshjen me Greqinë, si kusht për integrimin evropian të vendit.

Me rëndësi thelbësore mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndërkaq regjistrimi i popullatës duhet të ndodh për të siguruar statistikë demografike reale.

SHPËTIM NUREDINI