Markovski: Marrëveshja e Prespës hapë dyert drejt BE-së; Petrovska: dallon identiteti maqedonas në vend dhe Greqi
Marrëveshja e Prespës, nën thjerrëzën e ish-diplomatëve. Ata konsiderojnë se zgjidhja e kontestit nëpërmjet marrëveshjes dypalëshe hap perspektivën ndërkombëtare të Maqedonisë...

Ish-diplomati, Danço Markovski, thotë se për dhjetë vite Maqedonia u përball me izolim ndërkombëtar dhe vetëm tani asaj mund t’i hapen dyert drejt Europës, si një shtet i vërtetë multietnik.
“Nëse Maqedonia është në gjendje që me sukses të përmbush sfidat ekonomike, mbajë marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe të zgjidh kontestin me emrin, do të dëshmojë se mund të krijohet një shtet i vërtetë shumëetnik në Ballkan. Gjendjet negative të brendshme dhe të jashtme kulminuan dhjetë vitet e fundit, periudhë kjo në të cilën shteti u përball me një proces të plotë retrogradë në nivel shtetëror dhe lokal, duke shkaktuar efektin e shtetit të robëruar dhe procesit të ngrirë dhe izolim ndërkombëtar”,- tha ish-diplomati, Danço Markovski.
Violeta Petrovska nga Qendra për të Drejtat e Njeriut tha se çështja e identitetit maqedonas, sikurse në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi, po shfrytëzohet kundër marrëveshjes së Prespës. Sipas saj, do të duhet bërë dallim në këtë drejtim, që të ulen ndasitë në pranimin e marrëveshjes.
“Është interesante se si identiteti i çdonjërit prej nesh shfrytëzohet nga të dyja anët e kufirit, si argument kryesor kundër marrëveshjes. Retorika është e njëjtë dhe identiteti në të dyja rastet është problem. Këtu do të duhet të bëjmë dallimin midis identitetit maqedonas në Maqedoni dhe identitetit maqedonas në Greqi. Edhe nxënësit në një anketë nuk bëjnë dallim midis identitetit nacional dhe etnik, dhe kur nuk ka dallim atëherë thellohen barrierat në pranimin e marrëveshjes”,- u shpreh Violeta Petrovska nga Qendra për të Drejtat e Njeriut.
Pjesëmarrësit rikujtuan vërejtjet e mëparshme të faktorit ndërkombëtar me të cilat do të duhet të përballet Maqedonia paralelisht me marrëveshjen e Prespës, e ato janë përmbushja e marrëveshjes kornizë, zbatimi i reformave demokratike dhe stimulimi i rritjes ekonomike.
MERAL ISMAILI
