Zaev qëndron në Uashington, takim me nënkryetarin e ShBA-ve, Majk Pens
Kryeministri, Zoran Zaev, ndodhet për vizitë në ShBA, ku pritet të realizojë takim me nënpresidentin amerikan, Majk Pens...

Siç është paralajmëruar nga pres qendra e qeverisë, në takimin Zaev-Pens do të diskutohet për avancimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.
Takimi i sotëm Zaev - Pens është takimi i dytë bilateral pas takimit të vitit të kaluar në Podgoricë, ku nënpresidenti amerikan, Pens, shprehu përkrahje për reformat në Maqedoni dhe përcaktimin e saj për anëtarësim në Aleancë.
Vizita e Zaevit në Uashington vjen pas vizitës në Maqedoni të sekretarit amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis, dhe ndihmëssekretari shtetëror, Ves Micel, të cilët shprehën qartë përkrahjen e Uashingtonit për integrimin në NATO dhe për referendumin e 30 shtatorit.
Në fillim të muajit edhe presidenti i ShBA-ve, Donald Tramp, përmes një letre drejtuar presidentit, Gjorgje Ivanov, shprehu përkrahje për marrëveshjen me Greqinë, duke e vlerësuar si mundësi historike për hapjen e rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.
