Trump: prodhuesit e OPEC-ut të ulin çmimet e naftës
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lidhur mbështetjen amerikane për vendet e Lindjes së Mesme...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lidhur mbështetjen amerikane për vendet e Lindjes së Mesme me çmimin e naftës, teksa i ka bërë sërish thirrje Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës të ulë çmimet.
“Ne mbrojmë shtetet në Lindje të Mesme, të cilat nuk do të ishin të sigurta për kohë të gjatë pa ne dhe ato vazhdojnë të shtyjnë përpara çmime të larta e më të larta! Ne do ta kujtojmë këtë. Monopoli i OPEC-ut duhet të ulë çmimet”,- ka thënë Trump në një postim në Twitter.
Trump i ka bërë thirrje Arabisë Saudite, prodhuesit më të madh në kuadër të OPEC-ut, që të rrisë prodhimin, duke thënë se kjo gjë do t’i ndihmonte Shteteve të Bashkuara të ulin çmimin e karburanteve, pasi Uashingtoni është duke i ndihmuar Riadit në përballjen e tij me Iranin.
Mirëpo aleatët e kësaj organizate nuk pritet të pajtohen për rritje të prodhimit të naftës, në takimin që pritet ta zhvillojnë këtë javë në Algjeri.
