Maqedoni

Le Roa: Marrëveshja ruan identitetin maqedonas; Timonie: Do të vendosni për ardhmërinë e vendit

21.09.2018 17:01

Diplomati francez, Alen Le Roa, i njohur si i dërguari special i BE-së për Maqedoninë në vitin 2001...

Diplomati francez, Alen Le Roa, i njohur si i dërguari special i BE-së për Maqedoninë në vitin 2001, inkurajon qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 30 shtator. Marrëveshja nuk është e përkryer, thotë ai, por nuk cenon identitetin maqedonas. Edhe ambasadori i Francës në Shkup në të njëjtën vijë, thotë se tani vendoset për të ardhmen e Maqedonisë  dhe pozicionimin e saj ndërkombëtar.
 
“Pyetja është mjaft e fuqishme, prek identitetin e vendit, por do të ripërsërisë se bëhet fjalë për debat demokratik sa i përket identitetit. Ndjenja jonë është se me këtë marrëveshje po ruhet identiteti maqedonas, gjuha maqedonase dhe shumë gjëra të tjera”,- tha diplomati francez, Alen Le Roa.
 
“Ky do të jetë edhe kapaciteti juaj për të dëshmuar se jeni krah për krah me BE-në dhe jeni të gatshëm që të mbijetojë multilaterizimi, se nuk jeni vetëm burim i problemeve dhe se tani jeni të gatshëm të merrni vend tjetër në korniza ndërkombëtare. Pikërisht këtu maqedonasit do të duhet të vendosin midis Maqedonisë së Veriut ose Koresë së Veriut”,- u shpreh ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
 
Nga Ministria e Jashtme thonë se reformat në të gjitha sferat do të ndjehen shumë shpejt nga qytetarët.
 
“Qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësi që të njohin dhe definitivisht të vulosin proceset transformuese në shoqërinë tonë që do të jenë në shërbim të gjeneratave të tanishme dhe ato që do të vijnë”,- tha sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski.
 
Dimovski vlerëson se reformat e brendshme sikurse sundimi i së drejtës dhe ndërtimi i institucioneve të pavarura dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, kanë qenë fokusi i qeverisë në periudhën e shkuar, duke shpjerë Maqedoninë nga vend i krizës në vend të mundësive.
 
MERAL ISMAILI