Çairit i shtohet një park i ri, autoritetet premtojmë më shumë hapësira të tilla
Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, lagjja Dizhon në Çair u bë me një park të ri...

Ndërtimit të këtij parku më tepër i gëzohen fëmijët, të cilët kontribuon edhe me mbjelljen e luleve.
Si po ndjehesh për momentin duke mbjellë lule?
“Shumë mirë, i dua lulet se janë të bukura”,- tha një nxënëse.
“Kanë nevojë edhe këta për një dëfrim, saqë duhej të shkonin në vende tjera diku. Duhej në aktivitete bashkë me prindër të shkojnë më larg se sa aty ku banojnë”,- tha drejtoresha e Shkollës Fillore “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.
Të vetëdijshëm për mungesën e madhe të hapësirave të gjelbra në Çair, autoritetet premtuan se ky projekt është vetëm fillim i mbarë për ta bërë Çairin një vend të pastër me parqe të bollshme.
“Këto vlera për të gjelbëruar sa më tepër hapësirat në Çair nuk do t’i ndalim, është misioni ynë, është premtim para bashkëqytetarëve tanë dhe bashkërisht edhe me Ndërmarrjen e Parqeve dhe Qytetin e Shkupit do ta realizojmë”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Mendoj që edhe qytetarët që jetojnë në Çair meritojnë të kenë infrastrukturë të njëjtë dhe adekuate, siç kanë qytetarët në vendet tjera të Shkupit”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
“Ne si ministri e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor gjithmonë do të përkrahim projektet që janë në dobi të qytetarëve dhe janë në funksion të mjedisit jetësor”,- u shpreh ministri i ambientit jetësor, Sadulla Duraku.
“Duam nga këtu t’u bëjmë apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm për hapësirat e gjelbra, për shkak se ne nuk duam dhunë dhe papastërti, por duam më shumë parqe dhe ajër të pastër”,- theksoi drejtori i NP “Parqet dhe Gjelbërimet”, Adrijan Muça.
Parku është me sipërfaqe prej 5700 metër katrorë dhe për të njëjtin Qyteti i Shkupit ka ndarë 4 milion denarë.
ERSAN PAJAZITI
